Izraeli zgjeron operacionet në Gazën qendrore
- Armata izraelite zgjeron operacionet e saj në qytetin Deir al-Balah në qendër të Rripit të Gazës, siaps deklaratës së zëdhënësit të armatës, i cili sot u bëri thirrje banorëve ta braktisin rajonin në një postim në "X".
- Post By Sara Ademi
- 11:45, 20 korrik, 2025
Gaza, 20 korrik 2025 (MIA) - Armata izraelite zgjeron operacionet e saj në qytetin Deir al-Balah në qendër të Rripit të Gazës, siaps deklaratës së zëdhënësit të armatës, i cili sot u bëri thirrje banorëve ta braktisin rajonin në një postim në "X".
Forcat mbrojtëse të Izraelit (IDF) vazhdojnë "intensivisht aktivitetet e tyre në rajone të reja", thuhet në kumtesën e armatës. "Për sigurinë tuaj, menjëherë evakuohuni në jug të Al-Mavasit", shtohet.
Al-Mavasi, në jugperëndim të zonës së rrethuar, u caktua nga Izraeli si një "zonë humanitare" gjatë luftës në Gaza. Megjithatë, armata izraelite ka sulmuar atje disa herë në të kaluarën. Armata tha se midis objektivave ishin edhe objektiva që i përkisnin grupit islamist palestinez Hamas.
Familjet e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në Gaza iu përgjigjën njoftimit të armatës me shqetësim dhe zhgënjim. "A mund të na premtojë dikush se ky vendim nuk do të çojë në humbjen e të dashurve tanë?" thuhet në kumtesën e Forumit të Familjeve të Pengjeve.
Shumica dërrmuese e izraelitëve dëshirojnë fund të luftës dhe marrëveshje që do të mundësojë lirimin e pengjeve, thuhet në raport.
Këto janë operacionet e para tokësore në atë rajon që nga fillimi i luftës në Gaza, sipas gazetës "Tajms of Izrael". Armata paraprakisht nuk ka qenë e sistemuar atje.
Të paktën gjashtë palestinezë u vranë në sulmet izraelite në qytetin e Gazës dhe pjesën veriore të enklavës që nga orët e hershme të mëngjesit. Burime palestineze deklaruan se armata izraelite, gjithashtu, zbaton operacione për shkatërrimin e shtëpive të civilëve në lagjen Shuxhaje, në lindje të Gazës.
Forcat izraelite dje vranë të paktën 116 palestinezë në Rripin e Gazës, duke përfshirë 38 persona që përpiqeshin të merrnin racione me ushqim.
Edhe dy palestinezë, mes të cilëve një foshnje njëjavëshe, vdiqën nga uria, sipas burimeve mjekësore palestineze, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmëruan se mijëra njerëz në Gaza janë në "prag të urisë katastrofike". sa/
foto: EPA