• e hënë, 23 dhjetor 2024

Izraeli qëndron pas shpërthimeve vdekjeprurëse të pejxherëve drejtuar Hezbollahut duke plagosur mijëra vetë në Liban

Izraeli qëndron pas shpërthimeve vdekjeprurëse të pejxherëve drejtuar Hezbollahut duke plagosur mijëra vetë në Liban

18 shtator 2024

CNN

Hezbollahu u zotua se do t'i përgjigjet sulmit të djeshëm izraelit, që vrau disa njerëz dhe plagosi mijëra të tjerë në të gjithë Libanin, kur pejxherët që i përkisnin anëtarëve të grupit të mbështetur nga Irani shpërthyen pothuajse njëkohësisht, duke treguar shtrirje masive në siguri të inteligjencës izraelite.

Midis të vrarëve në shpërthimet ishte një fëmijë dhe rreth 2800 njerëz u plagosën, tha ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abiad. Të paktën 170 persona janë në gjendje kritike, shtoi ai, megjithëse natyra e lëndimeve të tjera është e paqartë.

Ky sulm i paprecedentë rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat tashmë janë rritur nga lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë. Ky incident i jashtëzakonshëm nxjerr në pah gjithashtu cenueshmërinë e Hezbollahut, rrjeti i komunikimit të të cilit është komprometuar me pasoja vdekjeprurëse dhe pason një seri vrasjesh në shënjestër të komandantëve të tij.

CNN mësoi se shpërthimet ishin rezultat i një operacioni të përbashkët midis shërbimit të inteligjencës izraelite Mosad dhe ushtrisë izraelite. Edhe pse ushtria izraelite tha se nuk do të komentonte mbi shpërthimet, si Libani ashtu edhe Hezbollahu fajësuan Izraelin për sulmin. Irani gjithashtu fajësoi, duke e quajtur atë "terrorizëm izraelit".

Spekulimet po shtohen rreth mënyrës se si mund të jenë përdorur pajisjet e komunikimit pa tel të teknologjisë së ulët. “Njujork Tajms” raportoi dje se Izraeli kishte fshehur eksplozivë në një seri pejxherësh të porositura nga prodhuesi tajvanez Gold Apollo dhe të destinuar për Hezbollahun. Një çelës u shtua për t'i shpërthyer ato nga distanca, thuhet në raportin mediatik.

Themeluesi dhe presidenti i "Gold Apollon" u tha gazetarëve sot se pejxherët e përdorur në sulm ishin bërë nga një shpërndarës evropian. Su Çing-kuang tha se kompania e tij ka nënshkruar një marrëveshje me një distributor për të përdorur markën Gold Apollon.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale dhe agjencitë e lajmeve tregojnë shpërthime të fuqishme në vende të ndryshme në të gjithë Libanin. Në një video të kamerës së sigurisë, një burrë shihet duke përzgjedhur fruta në një supermarket kur shpërthimi e bën copë-copë çantën. Dëshmitarët ia mbathin pas dëgjimit të goditjes, teksa burri bie në tokë duke shtrënguar pjesën e poshtme të barkut. Pas disa sekondash ai dëgjohet duke rënkuar nga dhimbja.

Video të tjera në mediat sociale tregojnë shumë njerëz të plagosur, duke përfshirë të paktën një fëmijë. Të plagosurit ishin të mbuluar me gjak, shumë prej tyre me lëndime në fytyrë dhe në duar. "Ky armik kriminel dhe tradhtar me siguri do të marrë një dënim të drejtë për këtë sulm mëkatar, si në mënyra të pritshme ashtu edhe të papritura," kërcënoi Hezbollahu mbrëmë.

Ata më vonë deklaruan se operacionet e tyre kundër Izraelit do të vazhdonin dhe premtuan "hakmarrje të ashpër që e pret armikun kriminal për masakrën që ka kryer".

Grupi militant konfirmoi më parë në kanalin e tij Telegram se "punonjësit" në institucione të ndryshme të Hezbollahut u goditën nga shpërthimet, me "një numër të madh" njerëzish të plagosur.

Hezbollahu ka theksuar prej kohësh fshehtësinë si një element thelbësor të strategjisë së tij ushtarake, duke refuzuar pajisjet e teknologjisë së lartë për të shmangur infiltrimin nga softuerët spiunë izraelitë dhe amerikanë.

Ndryshe nga aktorët e tjerë joshtetërorë në Lindjen e Mesme, njësitë e Hezbollahut besohet se komunikojnë përmes një rrjeti të brendshëm komunikimi. Ky shihet si një nga elementët kyç të grupit të fuqishëm, i cili prej kohësh akuzohet se vepron si shtet brenda shtetit.

Sipas mediave shtetërore iraniane, ambasadori i Iranit në Liban, Mojtaba Aman, ishte në mesin e të plagosurve në Bejrut, së bashku me dy punonjës të Ambasadës. Aman ka një dëmtim sipërfaqësor dhe është nën vëzhgim në spital, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke cituar gruan e tij.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, kryeministri libanez Naxhib Mikati, në takimin e djeshëm të kabinetit, e dënoi sulmin si një "shkelje serioze të sovranitetit libanez dhe një krim sipas të gjitha standardeve".

Ushtria izraelite, e cila ka shkëmbyer sulme me Hezbollahun që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit të kaluar, tha në një deklaratë pas shpërthimeve se nuk kishte ndryshim në këshillat për civilët izraelitë. “Publikut i kërkohet të qëndrojë në gatishmëri të lartë dhe çdo ndryshim në politikë do të përditësohet menjëherë”, citohet në njoftim.

Eksplozivë të vendosur në pejxherë

Një valë shpërthimesh goditi disa zona në Liban, veçanërisht periferitë jugore të Bejrutit, bëjnë të ditur Forcat Libaneze të Sigurisë së Brendshme.

NNA raportoi se pejxherët e "hakuar" shpërthyen në qytetet Ali Al-Nahri dhe Riak në luginën qendrore Bekaa, duke rezultuar në lëndime të konsiderueshme. Vendndodhjet janë bastione të Hezbollahut.

CNN raportoi më parë se pejxherët që shpërthyen ishin blerë nga Hezbollahu në muajt e fundit, sipas një burimi libanez të sigurisë. Pajisjet shpërthyen njëkohësisht pasi morën një mesazh pasditen e së martës.

Dëshmitarët okularë përshkruan masakrën në Bejrut pas shpërthimeve.

"Ne ishim të befasuar që kishte kaq shumë njerëz të mbuluar me gjak, veçanërisht fëmijë," tha Mishel Hodegem, një grua që punonte si infermiere në Bejrut. Shumë familje vrapuan në spital me fëmijët në krahë”.

Shpërthimet rezultuan me skena të "katastrofës" në shumë nga vendet e prekura, shtoi ajo. “Rastet më të rënda ishin të njerëzve që ishin shumë afër shpërthimit”, tha ajo.

“U habitëm që kishte kaq shumë njerëz... kishte gjak në rrugë dhe njerëzit po dërgoheshin në spital me ambulanca. Por ne nuk e dinim se çfarë po ndodhte”, tha një dëshmitar, i cili nuk donte të përmendej për arsye sigurie.

Dëshmitari për CNN tha se ai kishte shkuar në spital për të vizituar një mik i cili mbante një nga pejxherët kur shpërtheu.

“Kjo pajisje nuk ishte vetëm në duart e njerëzve që i përkisnin çHezbollahut], por në duart e të gjithë njerëzve. Kishte njerëz që punonin në fushën e sigurisë që po përdornin atë pajisje dhe ata gjithashtu u lënduan”, tha ai.

Dejvid Kenedi, një ish-analist i inteligjencës për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, për CNN deklaroi se shpërthimet e parë në videot e shpërndara në internet dukeshin se ishin "shumë të mëdha që ky të ishte një hakim i largët dhe i drejtpërdrejtë që do të mbingarkonte pejxherët dhe do të shkaktonte një shpërthim të një baterie litiumi."

"Ka më shumë shanse që Izraeli të kishte operativë njerëzorë... në Hezbollah... Në pejxhera do të ketë pasur të instaluar eksploziv dhe me siguri do të aktivizoheshin vetëm kur të merrej një mesazh i caktuar," tha ai.

“Kompleksiteti i kërkuar për të arritur këtë është i pabesueshëm. Kjo do të kërkonte komponentë dhe ekzekutim shumë të ndryshëm të inteligjencës. Inteligjenca njerëzore (HUMINT) do të ishte metoda kryesore e përdorur për të arritur këtë, së bashku me përgjimin e zinxhirit të furnizimit për të bërë modifikime në pejxhersa."

Kim Gatas, gazetar libanez dhe bashkëpunëtor i revistës “Atlantik”, për CNN tha se Hezbollahu kohët e fundit "ka përdorur teknologji të ulët" në një përpjekje për të parandaluar vrasjen e më shumë operativëve të tij. Në një fjalim në shkurt, shefi i Hezbollahut, Hasan Nasralah u kërkoi luftëtarëve të tij të hidhnin celularët e tyre, duke thënë: "fikini, groposini, vendosini në një sënduk hekuri dhe mbyllini me çelës".

Pejxherë të bëra nga një distributor evropian

Më shumë detaje dolën sot se si inteligjenca izraelite mund të ketë projektuar sulmin e paprecedentë.

Hsu, themeluesi i prodhuesit të pejxherëve “Gold Apollo”, tha se distributori i saj evropian, i quajtur më vonë BAC, në një deklaratë të kompanisë, u lidh me një firmë tajvaneze rreth tre vjet më parë.

Fillimisht, kompania evropiane importoi vetëm pejxhera dhe produkte komunikimi Gold Apollo, tha ai. Më vonë, kompania i tha Gold Apollo se ata donin të bënin pejxherat e tyre dhe kërkuan të drejtën për të përdorur markën e firmës tajvaneze, tha ai.

Tajvani nuk ka të dhëna të dërgimit të pagesave Gold Apollo në Liban ose në Lindjen e Mesme, tha sot një zyrtar i lartë sigurie tajvanez për CNN. Gold Apollo dërgoi rreth 260,000 pejxherë nga Tajvani, nga

janari i vitit 2022 deri në gusht të vitit 2024, kryesisht në SHBA dhe në Australi, tha zyrtari i lartë i sigurisë.

Autoritetet libaneze u bënë apel qytetarëve me pejxhera që t'i hidhnin ato, paralajmëruan spitalet që të jenë në "gatishmëri të lartë" dhe u kërkuan punonjësve shëndetësorë të paraqiten në punë për të ndihmuar me "numrin e madh të personave të lënduar".

Shpërthimet vijnë pasi kabineti i sigurisë i Izraelit votoi të hënën për të shtuar një tjetër objektiv ushtarak në konfliktin e vazhdueshëm me Hamasin dhe Hezbollahun: sigurimin e kthimit të sigurt të banorëve nga komunitetet përgjatë kufirit libanez në shtëpitë e tyre.

"Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të zbatuar këtë qëllim," tha të hënën zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Pas gati një viti përleshjesh ndërkufitare midis Hezbollahut dhe Izraelit, dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Libanin jugor dhe në veri të Izraelit.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, SHBA-ja nuk ishte "përfshirë" në serinë e shpërthimeve të pejxherëve në Liban dhe "nuk ishin në dijeni " për ndonjë sulm paraprakisht.

Pas sulmeve, linjat ajrore evropiane Er Frans dhe Lufthansa pezulluan fluturimet për në Tel-Aviv të paktën deri të enjten "për shkak të situatës së sigurisë në nivel lokal".

Er Frans tha se po pezullonte gjithashtu fluturimet për në Bejrut deri të enjten mes frikës së një përshkallëzimi në rajon.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR