Izraeli papritur e sulmoi Sirinë, plotësisht janë shkatërruar baza ajrore dhe aeroporti
- – Ushtria izraelite mbrëmë filloi sulme ajrore ndaj qyteteve siriane Damask, Homs dhe Hama, ndërsa cak ishin qendra hulumtuese dhe lokacione ushtarake.
- Post By Fitore Curri
- 10:17, 3 prill, 2025

Damask, 3 prill 2025 (MIA) – Ushtria izraelite mbrëmë filloi sulme ajrore ndaj qyteteve siriane Damask, Homs dhe Hama, ndërsa cak ishin qendra hulumtuese dhe lokacione ushtarake.
Sulmi izraelit goditi Qendrën e Kërkimeve Shkencore në zonën e banimit Barzeh të kryeqytetit sirian Damask, duke plagosur disa persona. Ushtria izraelite sulmoi gjithashtu bazën ajrore Hama në Sirinë qendrore, duke synuar infrastrukturën e saj, ndërsa dronët vazhduan të fluturonin mbi qytet. Pas sulmeve ajrore izraelite, shërbimet e urgjencës shkuan menjëherë në aeroport, me raporte për viktima, përfshirë të vdekur dhe të plagosur.
Forcat izraelite shënjestruan depo armësh dhe municionesh, si dhe aeroplanë ushtarake në bazën ajrore Hama. Sulmet kishin në shënjestër edhe automjetet pranë aeroportit dhe pozicionet ushtarake përgjatë rrugës Misjaf-Hama, njoftuan burimet lokale, duke shtuar se numri i sulmeve ajrore izraelite kishte tejkaluar 15, dhe baza tani përshkruhet si pothuajse plotësisht e shkatërruar.
Në Homs, mediat lokale publikuan shpërthime të fuqishme në afërsi të aeroportit ushtarak T4 në paralagjen e Homs, të cilin Kanali izraelit 12 e theksoi si një nga caqet.
Përparimi i Izraelit në Dara ka hasur në rezistencën e popullatës lokale. Njëkohësisht me këtë përshkallëzim, burimet lokale raportuan një sulm izraelit me disa automjete të blinduara në pyllin e digës Xhabalia në pjesën perëndimore të provincës Dara. Artileria izraelite gjithashtu rinovoi granatimet e zonës rreth kodrës Tal Jumu, që ndodhet midis qytetit Nava dhe fshatit Tsil në provincën perëndimore Dara. Burimet thanë se granatimet izraelite kishin për qëllim zonën pyjore të digës Tzil dhe zonën përreth kodrës Tal Xhumu.
Sipas mediave siriane, 10 civilë ishin vrarë në një sulm izraelit ndaj Horsh al-Xhibajleh në pjesën perëndimore të Darës. Edhe 10 civilë janë plagosur dhe dërguar në spitalin Nava.
Sipas burimeve lokale, xhamitë në Nava bënë thirrje për mobilizim të përgjithshëm që të kundërshtojnë sulmin e përforcuar izraelit në Nava dhe Jasem.
Ministria siriane e Punëve të Jashtme publikoi një kumtesë në të cilën e dënon agresionin izraelit të drejtuar ndaj bazës ajrore Hama.
Ata thanë se bombardimi ka sjellë “gati shkatërrim të plotë” në bazë, duke shtuar se rezultati ishte dhjetëra viktima ushtarake dhe civile.
Damasku theksoi se agresioni e shkel edhe “të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Republikës Siriane Arabe”.
Sulmet izraelite janë pjesë e një modeli më të gjerë agresioni kundër objekteve ushtarake që kur fraksione të ndryshme rrëzuan presidentin Bashar al-Asad. Izraeli ka vendosur trupa përgjatë një zone tampon në Lartësitë e Golanit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanjahu ka bërë thirrje për çmilitarizimin e Sirisë jugore, pranë Lartësive Siriane të Golanit të pushtuara nga Izraeli. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s