• e premte, 21 shkurt 2025

Izraeli mban kontrollin e kalimit kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit

Izraeli mban kontrollin e kalimit kufitar Rafah midis Gazës dhe Egjiptit

Jerusalem, 22 janar 2025 (MIA) - Izraeli sot njoftoi se do të mbajë kontrollin e pikës kufitare Rafah ndërmjet Egjiptit dhe Rripit të Gazës gjatë fazës së parë të armëpushimit me Hamasin.

Në kumtesën e kabinetit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu janë mohuar informatat se Autoritetet Palestineze do të kontrollojnë kalimin.

Në kumtesë shtohet se palestinezët vendas që nuk janë të lidhur me Hamasin dhe janë verifikuar nga siguria izraelite do të vulosin vetëm pasaportat e tyre në kufi.

Gjithashtu, thuhet se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, ky kalim është e vetmja mënyrë që banorët e Gazës të largohen nga Rripi për të hyrë ose për t'u pranuar në vende të tjera.

Forcat izraelite do të ruajnë vendkalimin dhe për çdo lëvizje të njerëzve dhe mallrave do të kërkojnë lejen izraelite. Bashkimi Evropian do të mbikëqyrë procesin, shtohet në kumtesë.

Armëpushimi që hyri në fuqi të hënën pritet të sjellë qetësi në Gazën e shkatërruar nga lufta për të paktën gjashtë javë dhe të lirojë 33 pengje të mbajtura nga Hamasi palestinez në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Izraeli pushtoi anën palestineze të vendkalimit Rafah majin e kaluar, duke e mbyllur atë.

Egjipti, ndërmjetësi kryesor gjatë më shumë se një viti negociatash që çuan në armëpushim, kërkoi që palestinezët të kontrollonin anën e tyre të kalimit.

Ndërkaq, koordinatori humanitar i KB-së në Gaza, Muhanad Hadi, tha se kamionët nga organizata botërore, organizata humanitare, qeveritë dhe sektori privat po vijnë në Gaza dhe nuk ka pasur grabitje të mëdha, por vetëm disa incidente të vogla.

Sot, në ditën e tretë të armëpushimit në Rripin e Gazës kanë hyrë pothuajse 900 kamionë me ndihmë humanitare, njoftoi KB-ja, që është dukshëm më shumë se 600 kamionë të nevojshëm sipas marrëveshjes. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR