• e hënë, 23 dhjetor 2024

Izraeli kumtoi se ka filluar operacione të kufizuara tokësore në Gaza

Izraeli kumtoi se ka filluar operacione të kufizuara tokësore në Gaza

Tel Aviv, 23 tetor 2023 (MIA) - Forcat e armatosura izraelite sot kumtuan se forcat e saja kanë filluar mbrëmë operacione të kufizuara tokësore në Rripin e Gazës kundër militantëve palestinezë, ndërsa sulmet ajrore janë fokusuar në vendet ku luftëtarët e lëvizjes radikale islamike Hamas janë mbledhur për të luftuar kundër invazionit të mundshëm izraelit.

Ushtria izraelite shtoi se në 24 orët e fundit ka goditur më shumë se 320 caqe në Rripin e Gazës përfshirë edhe një tunel ku janë vendosur luftëtarët e Hamasit, dhjetëra pika komandimi dhe vëzhgimi, si dhe fole mortajash dhe sisteme raketore antitanke.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari theksoi se forcat e armatosura konfirmuan se 222 persona u morën peng gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigada Izedin Al- Kasam, kumtoi se luftëtarët e saj u përplasën me forcat izraelite në Rripin e Gazës dhe u kthyen në bazën e tyre pasi shkatërruan pajisjet ushtarake izraelite.

Në kumtesën e Grupit palestinez thuhet se forcat e blinduara izraelite hyrën në pjesën jugore të Gazës, në lindje të qytetit Kan Junis. “Luftëtarët u përplasën me forcat infiltruese, shkatërruan dy buldozerë dhe një tank dhe i detyruan të tërhiqen, pas së cilës u kthyen me sukses në bazën e tyre”, thuhet në kumtesë.

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR