Izraeli kumtoi se do ta respektojë armëpushimin në Gazë pas sulmeve ajrore me mbi 100 viktima
- Izraeli kumtoi se do t'i përmbahet marrëveshjes për ndërprerje të zjarrit në Rripin e Gazës, pasi që në sulmet e mbrëmshme ajrore, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, jetën e humbën së paku 104 persona.
- Post By Arta Bunjaku
- 20:04, 29 tetor, 2025
Tel-Aviv, 29 tetor 2025 (MIA) - Izraeli kumtoi se do t'i përmbahet marrëveshjes për ndërprerje të zjarrit në Rripin e Gazës, pasi që në sulmet e mbrëmshme ajrore, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, jetën e humbën së paku 104 persona.
Izraeli dhe Hamasi sërish akuzohen mes veti për shkelje të armëpushimit. IDF kumtoi se sulmet ishin përgjigje ndaj vrasjes së një ushtari izraelit, i qëlluar nga luftëtarët palestinezë.
Në kumtesën e sotme, armata izraelite theksoi se do ta respektojë armëpushimin, por paralajmëroi se do të reagojë fuqishëm ndaj "çdo shkeljeje".
Armata konfirmoi se cak i sulmeve ishin depot për armë, tunelet dhe pozitat e Hamasit, ndërsa mes të likuiduarve janë edhe pesë pjesëtarë të grupit, mes tyre edhe komandanti i cili mori pjesë në sulmet e 7 tetorit 2023.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gazë kumtoi se në mesin e të vrarëve janë 46 fëmijë dhe 20 gra.
Presidenti amerikan, Donald Tramp vlerësoi se ndërprrerja e zjarrit nuk është rrezikuar. "Izraeli pati të drejtë të përgjigjet. Asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin", deklaroi ai gjatë fluturimit me "Er fors uan".
Kryeministri i Katarit, sheiku Mohamed bin Abdurrahman Al Tani shprehi "zhgënjim të thellë" për shkak të konflikteve të reja, duke përkujtuar se Katari, Egjipti dhe SHBA-ja ishin ndërmjetës në arritjen e marrëveshjes për ndërprerje të zjarrit.
Al Tani tha se Hamasi ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga menaxhimi me Gazën dhe theksoi se Doha vazhdimisht e inkurajon grupin të çarmatoset. ab/
Fotо: ЕPА