• e premte, 05 dhjetor 2025

Izraeli kërcënon se do t'ia bëjë Teheranit atë që i bëri Hamasit në Rripin e Gazës

Izraeli kërcënon se do t'ia bëjë Teheranit atë që i bëri Hamasit në Rripin e Gazës

Jerusalem, 8 maj 2025 (MIA) - Izraeli do t'ia bëjë Teheranit atë që "i bëri Hamasit në Rripin e Gazës", deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac. 

"I paralajmëroj udhëheqësit iranianë që financojnë, armatosin dhe shfrytëzojnë organizatën terroriste Huthët: boshti i së keqes është përmbysur", theksoi Kac në deklaratë, katër ditë pasi rebelët Huthë të Jemenit, aleatë të Iranit nisën një sulm në aeroportin e Tel Avivit.

"Ju jeni përgjegjës të drejtpërdrejtë", u tha Kac liderëve iranianë.

Ai shtoi se Izraeli do t’i bënte Teheranit atë që i bëri lëvizjes islamiste libaneze Hezbollah në Bejrut, lëvizjes islamiste palestineze Hamas në Rripin e Gazës dhe liderit sirian Bashar al-Asad në Damask.

Si përgjigje të një sulmi me raketa të rebelëve Huthë në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Izraelit të dielën, ushtria izraelite këtë javë kreu sulme në aeroportin në kryeqytetin e Jemenit, Sana në termocentralet në rajon dhe në fabrika.

Huthët, së bashku me Hamasin dhe Hezbollahun, janë pjesë e asaj që Teherani e paraqet si "boshti i rezistencës" ndaj Izraelit. Megjithatë, Irani mohon se u ka ofruar atyre ndihmë ushtarake. qa/

Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR