• e hënë, 23 dhjetor 2024

Izraeli javën e ardhshme para gjykatës ndërkombëtare nën akuzën për gjenocid

Izraeli javën e ardhshme para gjykatës ndërkombëtare nën akuzën për gjenocid

Jerusalem, 4 janar 2024 (MIA) - Më 11 dhe 12 janar, Izraeli do t'i përgjigjet akuzave për gjenocid para  Gjykatës ndërkombëtare për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Rripit të Gazës, pasi Republika e Afrikës së Jugut filloi një proces para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të Kombeve të Bashkuara.

Gjykata e Hagës ka shpallur orarin e seancave dje në mbrëmje. Republika e Afrikës së Jugut (RAJ) do të paraqesë akuzën e saj më 11 dhe Izraeli do të mbrohet më 12-të. Të dyja palët do të marrin nga dy orë secila.

RAJ, duke iu referuar Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dorëzoi një dokument tetëdhjetë faqe të premten duke shpjeguar pse beson se Izraeli po kryen gjenocid në enklavën palestineze. Të dy vendet janë nënshkruese të Konventës.

RAJ  kërkon që gjykata të veprojë menjëherë dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj palestinezëve. Ky shtet afrikan konsideron se sulmet izraelite janë gjenocidale, sepse qëllimi i tyre është shkatërrimi i palestinezëve në rajon.

Dokumenti përfshin akuza për krime të kryera nga ushtria izraelite ndaj palestinezëve, si dhe deklarata nga udhëheqsia izraelite që dyshohet se tregojnë qëllime gjenocidale.

Lior Hajat, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, i mohon akuzat.

"Izraeli me neveri hedh poshtë shpifjen e gjakut që Republika e Afrikës së Jugut po përhap me këtë ankesë në GJND”, shkroi ai javën e kaluar në “X”.

Padia nuk ka bazë faktike dhe juridike, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo gjykatë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të hedhin poshtë plotësisht pretendimet e pabaza të RAJ.

Hajat pretendon se vetëm Hamasi është përgjegjës për vuajtjet në Gaza dhe se Izraeli po bën gjithçka që mundet për të minimizuar vuajtjet e popullatës civile. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR