Izraeli e ndërroi shefin e shërbimit sekret i cili i hetonte skandalet korruptive të Netanjahut
- – Qeveria izraelite sot herët në mëngjes e shkarkoi shefin e shërbimit të inteligjencës vendore Shin Bet, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi më 10 prill, njoftoi kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu, pas protestave treditëshe kundër hapit të paralajmëruar.
- Post By Fitore Curri
- 07:56, 21 mars, 2025

Tel Aviv, 21 mars 2025 (MIA) – Qeveria izraelite sot herët në mëngjes e shkarkoi shefin e shërbimit të inteligjencës vendore Shin Bet, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi më 10 prill, njoftoi kabineti i kryeministrit Benjamin Netanjahu, pas protestave treditëshe kundër hapit të paralajmëruar.
Netanjahu këtë javë deklaroi se e ka humbur besimin në Ronen Bar, i cili e udhëhiqte Shin Bet nga viti 2021, dhe se ka për qëllim që ta ndërrojë.
Bar nuk mori pjesë në takimin qeveritar, por në një letër dërguar ministrave tha se procesi rreth shkarkimit të tij nuk është në përputhje me rregullat dhe se shkarkimi i tij bazohet në akuza të pabaza.
Policia dje përdori top me ujë dhe kreu shumë arrestime gjatë kohës së përleshjeve në protestat në Tel Aviv dhe në afërsi të rezidencës së kryeministrit në Jerusalem. Gjatë tri ditëve të kaluara, protestuesit për shkak të shkarkimit të Bar i mblodhën forcat me protestuesit kundër vendimit për vazhdimin e luftës në Rripin e Gazës.
Vendimi i qeverisë izraelite vijoi pas tensioneve disamuajshe mes Bar dhe Netanjahu për shkak të hetimit për korrupsion të një ndihmësi në kabinetin e tij. Netanjahu vlerëson se hetimi është sulm i motivuar politik dhe përpjekje që të rrëzohet nga pushteti, përderisa kritikët e akuzojnë se i minon institucionet demokratike duke kërkuar ndryshimin e Bar.
Në letrën dërguar Qeverisë, Bar tha se vendimi për shkarkimin e tij është “shënuar plotësisht me (...) konflikt të interesave” dhe i udhëhequr nga “motive fondamentale të papranueshme”.
Ai tashmë paralajmëroi se planifikon të tërhiqet para kohe nga funksioni që ta marrë përgjegjësinë për mossukseset e shërbimeve të inteligjencës të cilat nuk patën sukses ta parandalojnë sulmin terrorist ndaj Izraelit nga ana e grupit militant palestinez Hamas në tetor të vitit 2023. fc/
Fotografia: EPA