• e mërkurë, 08 prill 2026

Izraeli e mbështet pezullimin amerikan dy javësh në sulmet ndaj Iranit, por Libani është përjashtuar nga armëpushimi

Izraeli e mbështet pezullimin amerikan dy javësh në sulmet ndaj Iranit, por Libani është përjashtuar nga armëpushimi

Jerusalem, 8 prill 2026 (MIA) - Izraeli e mbështet vendimin e presidentit amerikan Donald Tramp për të pezulluar sulmet ndaj Iranit për dy javë, por ky armëpushim nuk e përfshin Libanin, publikoi sot zyra e kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Kryeministri izraelit e mbështet gjestin e SHBA-së nën kushtin që Teherani menjëherë ta hapë Ngushticën e Hormuzit dhe t'i ndalë sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe vendeve të rajonit, citohet në kumtesë, transmetojnë mediat britanike.

Deklarata vjen pasi Uashingtoni shpalli pezullimin e sulmeve ndaj Iranit për dy javë, me qëllim të qetësimit të konfliktit dhe hapjen e hapësirës për negociata. Izraeli, gjithashtu, tha se i mbështet përpjekjet e SHBA-së që të sigurohet se Irani më nuk paraqet kërcënim bërthamor, raketor ose "terrorist" për SHBA-në, Izraelin dhe fqinjët e tij arab.

Ai shtoi se Uashingtoni e ka informuar Izraelin se mbetet i përkushtuar në qëllimet e përbashkëta në negociatat e ardhshme.

Irani sot njoftoi se negociatat me SHBA-në do të fillojnë të premten, 10 prill në Islamabad.

Dy përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë paraprakisht konfirmuan se Izraeli është pajtuar në armëpushim dy javësh dhe ndërprerje të bombardimit të Iranit, ndërsa kryeministri pakistanez Shehzab Sharif, i cili ndërmjetësonte në marrëveshje, njoftoi në Iks se marrëveshja përfshin ndërprerje të operacioneve izraelite në Liban.

Ofensiva izraelite në Liban deri tani mori të paktën 1.500 jetë dhe zhvendosi rreth 1,2 milionë persona, Libani u tërhoq në konflikt pasi Hezbollahu gjuajti raketa ndaj Izraelit në shenjë solidariteti me Teheranin, dy ditë pasi Irani i sulmoi Izraelin dhe SHBA-në. Sulmi shkaktoi një ofensivë të re izraelite tokësore dhe ajrore. sa/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR