Izraeli e ka kritikuar rezolutën për Gazën, të miratuar në Samitin arab në Kajro, Hamasi e ka përshëndetur
- Ministria izraelite e Punëve të Jashtme mbrëmë e ka kritikuar rezolutën e miratuar në samitin e Ligës arabe në Kajro për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke vlerësuar se ajo "nuk ka arritur t'i përgjigjet" realitetit pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor të vitit 2023.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:55, 5 mars, 2025

Tel Aviv, 5 mars 2025 (MIA) - Ministria izraelite e Punëve të Jashtme mbrëmë e ka kritikuar rezolutën e miratuar në samitin e Ligës arabe në Kajro për rindërtimin e Rripit të Gazës, duke vlerësuar se ajo "nuk ka arritur t'i përgjigjet" realitetit pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor të vitit 2023.
Nga ana tjetër, Hamasi e ka përshëndetur planin e miratuar arab për rindërtimin e Gazës dhe bëri thirrje për sigurimin e burimeve financiare për zbatimin e tij.
"Në rezolutë nuk përmendet sulmi dinak terrorist i Hamasit, i cili mori mijëra jetë izraelite, ndërsa qindra njerëz u rrëmbyen. Në të nuk ka kurrfarë dënimi ndaj kësaj organizate terroriste", thuhet në deklaratën e Ministrisë izraelite të Punëve të Jashtme.
Izraeli e ka rikonfirmuar mbështetjen për planin e presidentit amerikan, Donald Tramp, sipas të cilit popullata palestineze në Gazë duhet të zhvendoset në vendet fqinje, Jordani dhe Egjipt. Sipas autoriteteve izraelite, liderët arabë e refuzuan këtë propozim në takimin në Kajro, pa i dhënë mundësi të zbatohej.
Presidenti egjiptian Abdel Fatah el Sisi njoftoi se vendet arabe mbështesin planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës pas luftës, i cili parashikon popullata dymilionëshe palestineze të mbeten në enklavë.
Projekti prej 53 miliardë dollarësh, i përpunuar në 112 faqe, ka për qëllim të rindërtojë Gazën deri në vitin 2030, pa zhvendosur popullatën e saj.
Në fazën e parë parashikohet pastrimi i mbi 50 milionë tonëve gërmadha dhe heqjen e municioneve të pashpërthyera, të mbetura pas bombardimeve dhe ofensivave ushtarake izraelite. qa/bsh/
Foto: Arkivi