• e premte, 05 dhjetor 2025

Izraeli dhe Hamasi u dakorduan për fazën e parë të planit të paqes të Trampit për Gazën

Izraeli dhe Hamasi u dakorduan për fazën e parë të planit të paqes të Trampit për Gazën

Uashington, 9 tetor 2025 (MIA) - Izraeli dhe organizata palestineze Hamas kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes për Gazën të presidentit të SHBA-së Donald Tramp, njoftoi Trampi në Truth Social.

"Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në vijën e rënë dakord si hapi i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme", shkroi Tramp.

"Kjo është një ditë e madhe për botën arabe dhe myslimane, për Izraelin, të gjitha kombet fqinje dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt", shtoi ai.

Sipas raporteve izraelite, rreth 48 pengje mbahen ende në Rripin e Gazës, 20 prej të cilëve janë gjallë.

Disa momente pas njoftimit të Trampit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu bëri një deklaratë në X.

"Me ndihmën e Zotit do t'i kthejmë të gjithë në vend", shënoi ai.

Në njoftimin e dytë shtoi se "ky është një sukses diplomatik dhe një fitore kombëtare dhe morale për shtetin e Izraelit".

"Nga vetë fillimi qartë kam thënë: Nuk do të pushojmë derisa të kthehen të gjithë pengjet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet tona... Përmes vendosmërisë së palëkundur, veprimit të fortë ushtarak dhe përpjekjeve të mëdha të mikut dhe aleatit tonë të madh, presidentit Tramp, kemi arritur këtë moment kritik", tha Netanjahu.

Hamasi pretendon se ka arritur marrëveshje "e cila parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave pushtuese, hyrjen e ndihmës humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve", citohet në kumtesën e organizatës.

"Vlerësojmë përpjekjet e ndërmjetësve dhe vëllezërve tanë nga Katari, Egjipti dhe Turqia. Gjithashtu, vlerësojmë angazhimin e presidentit të SHBA-së Donald Tramp, i cili po përpiqet të sjellë një fund përfundimtar të luftës dhe një tërheqje të plotë të pushtimit nga Rripi i Gazës", thuhet në tekst.

Bisedimet midis negociatorëve nga Izraeli dhe Hamasi kanë filluar prej disa ditësh në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheik.

Plani i paqes me 20 pika i Trampit kërkon që Izraeli të tërheqë forcat e tij në Gaza në një "vijë fillestare tërheqjeje" në këmbim të lirimit të pengjeve, të cilët janë mbajtur robër për më shumë se dy vjet.

Sipas planit, Izraeli duhet të lirojë rreth 250 palestinezë të dënuar me burg të përjetshëm dhe rreth 1,700 persona të tjerë të ndaluar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.

Që atëherë, sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi - të cilat Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare i konsiderojnë të besueshme - më shumë se 67,000 palestinezë janë vrarë në luftën në Gaza. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR