Izraeli dhe Hamasi ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të marrëveshjes paqësore të Trampit
- Izraeli dhe lëvizja militante palestineze Hamas sot ndërmorën hapat e parë drejt zbatimit të marrëveshjes paqësore e cila u bë e ditur nga presidenti amerikan, Donald Tramp gjatë natës.
- Post By Fami Bajrami
- 11:58, 9 tetor, 2025
Tel Aviv, 9 tetor 2025 (MIA) – Izraeli dhe lëvizja militante palestineze Hamas sot ndërmorën hapat e parë drejt zbatimit të marrëveshjes paqësore e cila u bë e ditur nga presidenti amerikan, Donald Tramp gjatë natës.
Sipas mediave izraelite, Këshilli i sigurisë i Izraelit do të mblidhet pasdite për t'u informuar rreth marrëveshjes për Gazën ku do të mbahet mbledhje qeveritare për të votuar marrëveshjen.
Udhëheqësi i Zyrës së të burgosurve të Hamasit, Zaher Xhabarin, njoftoi më parë se lëvizja islamiste "ka paraqitur listat e të burgosurve palestinezë sipas kritereve të dakorduara dhe pret konfirmimin përfundimtar të emrave para publikimit të tyre".
Trampi informoi se bisedimet ndërmjetësuese në Egjipt sollën marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes.
Në fazën e parë, duhet të lirohen të gjitha pengjet e mbajtura në Gazë, ndërsa forcat izraelite do të tërhiqen në një vijë paraprakisht të dakorduar.
Marrëveshja u mirëprit nga shumë liderë botërorë, ndërsa presidentin izraelit, Isak Hercog deklaroi se Trampi meriton Çmimin Nobel për paqe ku fituesi do të shpallet nesër. Janë 338 kandidatë për Çmimin Nobel për paqe 2025. Nga këta, 244 janë individë, ndërsa 94 janë organizata.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shkroi në platformën Iks se bëhet fjalë për një "sukses diplomatik dhe fitore kombëtare dhe morale për Izraelin".
Plani paqësor 20 pikësh i Trampit parasheh që forcat izraelite në Gazë të tërhiqen në "vijë fillestare të tërheqjes" në këmbim të lirimit të pengjeve të mbetura - të vdekur dhe të gjallë - që Hamasi i mban diçka më shumë se dy vjet.
Sipas planit, Izraeli do të lironte rreth 250 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe afër 1.700 persona të tjerë të arrestuar pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
foto: arkivi