• e hënë, 23 dhjetor 2024

Izetbegoviqi pas 23 viteve nuk do të jetë në pushtet në BeH

Izetbegoviqi pas 23 viteve  nuk do të jetë në pushtet në BeH

Banjallukë, 11 janar 2023 (MIA) – Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Bakir Izetbegoviq, për herë të parë që nga viti 2000, nuk do të jetë në asnjë funksion në pushtet në Bosnjë e Hercegovinë.

Pas 23 vitesh, siç raportojnë mediat e Sarajevës, Izetbegoviqi do të jetë vetëm kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, sepse sot u konfirmua se nuk do të jetë kandidat për delegat në Dhomën e Popullit të Bosnjë Hercegovinës.

Nga viti 2000 deri në vitin 2002 ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kantonit të Sarajevës, nga viti 2002 deri në vitin 2006 ka qenë deputet në Parlamentin e Federatës së BeH-së, ndërsa nga viti 2006 deri në vitin 2010 ka qenë deputet në Parlamentin e BeH-së.

Nga viti 2010 deri në vitin 2018 ka qenë anëtar i Presidencës së BeH-së, ndërsa në mandatin e fundit ka qenë delegat në Dhomën e Popullit të BeH-së.

Partia për Veprim Demokratik sot Për Dhomën e Popullit të BeH-së i propozoi ish-anëtarët e Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviq dhe Safet Softiq. Në klubin boshnjak të delegatëve në Dhomën e Popullit të BeH-së, Partia për Veprim Demokratik duhet të ketë dy përfaqësues, një delegat do të jepet nga Fronti Demokratik (DF) i Zheljko Komshiqit, ndërsa edhe dy të tjerë duhet të propozohen nga koalicioni pro-boshnjak “Osmorka”. ar/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR