• e premte, 22 nëntor 2024

Italia heq masën për vaksinim kundër koronavirusit për punonjësit shëndetësor, ashpërson gjobat për ahengjet

Italia heq masën për vaksinim kundër koronavirusit për punonjësit shëndetësor, ashpërson gjobat për ahengjet
Romë, 31 tetor 2022 (MIA) – Qeveria e re e Italisë ka hequr kushtin për vaksinim kundër koronavirusit për punonjësit shëndetësor në spitale dhe shtëpitë e pleqve. Prej nesër, rreth 4.000 punonjës të shëndetësisë të cilët nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit do të mund të punojnë sërish, theksoi kryeministrja Xhorxha Meloni në konferencën e sotme për shtyp në Romë. Masa e qeverisë së mëparshme të kryesuar nga Mario Dragi do të vlenin deri në fund të vitit. Siç transmeton DPA, personeli shëndetësor duhet të vazhdojë të mbajë maska. Roma zyrtare poashtu ka ashpërsuar sanksionet për festat e paligjshme. Ata që organizojnë ahengje të tilla dhe okupojnë ndërtesa ose tokë pa leje, mund të dënohen deri në gjashtë vjet burg në vend se dy siç ka qenë deri tani. Organizimi i tubimeve të më shumë se 50 personave që përbëjnë kërcënim për rendin, integritetin ose shëndetin publik mund të rezultojë në gjoba prej 1.000 deri në 10.000 euro. Këtë fundjavë në Modena të Italisë Veriore ilegalisht ishte organizuar një tekno aheng me disa mijëra pjesëmarrës. Policia ka zbardhur sot rastin me festën e cila ka zgjatur disa ditësh. Në fillim të operacionit paqësor të evakuimit, disa prej tyre fillimisht u barrikaduan brenda, sepse donin të vazhdonin festën. Festa e natës së shtrigave ku ndonjëherë kishte më shumë se 3.500 të ftuar, sipas organizatorëve duhej të zgjaste deri nesër. “Jam shumë e kënaqur me sinjalin e qartë që është dërguar”, tha Meloni. Lideri i partisë ekstreme të djathtë Liga dhe ministër aktual i Transportit, Mateo Salvini përshëndeti aksionin për prishjen e festës dhe në Tuiter shkroi: "Festa ka mbaruar". Këto kanë qenë vendimet e para të marra nga ministrat e qeverisë së re djathtiste të Italisë. Janë miratuar edhe vendime shtesë lidhur me gjyqësorin. Për dallim nga rregullat e mëparshme, të burgosurit me burgim të përjetshëm tani mund të marrin dënime më të vogla edhe nëse nuk bashkëpunojnë me gjyqësorin.

QËNDRONI TË LIDHUR