ISHT do të referojë të martën në Qeveri për situatën me çmimet e larta të ushqimeve, janë të mundshme masa për kufizimin e tyre
- Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në seancën e Qeverisë të martën Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) duhet të dorëzojë raport për bojkotin e marketeve për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe se janë të mundura masa për kontrollin e çmimeve.
- Post By Fami Bajrami
- 15:17, 9 shkurt, 2025
![ISHT do të referojë të martën në Qeveri për situatën me çmimet e larta të ushqimeve, janë të mundshme masa për kufizimin e tyre](https://mia.mk/images/20250209151742_big_730x400_62.webp )
Shkup, 9 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në seancën e Qeverisë të martën Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) duhet të dorëzojë raport për bojkotin e marketeve për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe se janë të mundura masa për kontrollin e çmimeve.
"Pres referim në seancën e ardhshme të Qeverisë, të martën. Mendoj se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT), bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës do të dalin publikisht me disa parametra. Nëse kjo nuk respektohet nga ana e sistemit, ndërsa kjo fillon me prodhuesit, shpërndarësit dhe zinxhirët, atëherë si qeveri do të na duhet të marrim një lloj tjetër masash mbrojtëse për ta kontrolluar këtë, aty ku është e nevojshme. Ky aksion do të zgjerohet pasi jo vetëm supermarketet apo hipermarketet, por objekt analize do të jenë edhe operatorë të tjerë ekonomikë si farmacitë dhe dyqanet për teknikë të bardhë. Nuk mundet që disa produkte në vendet fqinje të jenë dy deri në tre herë më të lira se në vendin tonë, ndërsa është i njëjti produkt nga i njëjti prodhues dhe me të njëjtën tarifë doganore”, ka thënë Mickoski.
Ai tha se i kupton qytetarët dhe revoltën e tyre për bojkotin e marketeve për shkak të çmimeve të larta të produkteve, por beson se zgjidhja duhet kërkuar në dialogun mes të gjitha palëve të prekura.
"Nëse shohim që njëra palë nuk e respekton marrëveshjen, atëherë si qeveri do të duhet të ndërhyjmë. Ne nuk duam të bëjmë politikë me ndërhyrje, duam përmes dialogut të arrijmë te një zgjidhje e përbashkët. U përpoqëm para Vitit të Ri, por e dini se si përfundoi, u thye besimi ndërmjet Qeverisë dhe tregtarëve", shtoi Mickoski.
Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë e miratimit të masave për çmimet e produkteve në seancën e së martës, në të cilën do të referojë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ku do të ftohen edhe institucione tjera kompetente.
Kryeministri Mickoski paralajmëroi edhe ndërtimin e autostradës së re nga Bukojçani në Kërçovë e cila do të krijojë një lidhje krejtësisht të re të autostradës nga Tetova, përmes Gostivarit, Bukojçanit, Kërçovës deri në Ohër. Mbetet diskutabil edhe seksioni nga Trebenishta deri në Qafë Thanë, pasi siç tha ai, është një seksion që hyn në zonën e mbrojtur të UNESKO-s për të cilin kërkohet zgjidhje.
"Projekti nga Bukojçani në Kërçovë do të financohet me kredi nga BERZH-i prej rreth 130 milionë euro, prej të cilave rreth 20 milionë janë komponentë grantesh. Pres që të përfundoj në fund të vitit 2028 ose në gjysmën e parë të vitit 2029, kur planifikohet të përfundojë edhe ky projekt tjetër nga Tetova në Bukojçan ku do të kemi një tërësi të plotë. Tashmë është shpallur thirrja publike e cila është parakualifikim. Pres që deri në mars të përfundojë dhe më pas do të shpallet thirrje për kualifikimin e kompanive dhe do të zgjedhim kompaninë më të mirë. Pres që të gjitha të përfundojnë deri në fund të vitit", thotë Mickoski.
Foto: arkivi i MIA-s