Ishiba: Duhet të parandalohen ndarjet midis SHBA-së, Ukrainës dhe G7-ës
- Kryeministri japonez Shigeru Ishiba sot deklaroi se po përpiqet të parandalojë ndarjen mes SHBA-së, Ukrainës dhe G7, duke e cilësuar debatin e mbrëmshëm mes presidentit amerikan dhe atij ukrainas si "mjaft të papritur".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:50, 1 mars, 2025

Tokio, 1 mars 2025 (MIA) - Kryeministri japonez Shigeru Ishiba sot deklaroi se po përpiqet të parandalojë ndarjen mes SHBA-së, Ukrainës dhe G7, duke e cilësuar debatin e mbrëmshëm mes presidentit amerikan dhe atij ukrainas si "mjaft të papritur".
"Japonia duhet të bëjë gjithçka për të parandaluar ndarjen. Kjo nuk është diçka që duhet të shkaktojë emocione konfliktuoze. Diplomacia e ndihmuar nga dhembshuria dhe këmbëngulja duhet të përdoret për të arritur paqen", tha Ishiba.
Ai theksoi se përplasja verbale midis Donald Trampit dhe Volodimir Zelenskit "nuk është një model diplomatik".
"Edhe pse dallimi në pozicione është bërë i qartë, ajo që duhet bërë në drejtim të një armëpushimi mbetet e njëjtë", theksoi Ishiba.
Japonia, së bashku me vendet e tjera anëtare të G7 (Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja), mbështet Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.