Ish shefi i Shin - Bet: Netanjahu jepte urdhëra për përgjimin e ministrave
- – Ish drejtori i shërbimit të inteligjencës izraelite Shin Bit, Joram Koen, deklaroi se derisa ishte në krye të agjencisë, kryeministri Benjamin Netanjahu ka kërkuar që të përgjohen bisedat telefonike të ministrave dhe funksionarëve të sigurisë.
- Post By Fitore Curri
- 18:13, 5 dhjetor, 2024
Tel Aviv, 5 dhjetor 2024 (MIA) – Ish drejtori i shërbimit të inteligjencës izraelite Shin Bit, Joram Koen, deklaroi se derisa ishte në krye të agjencisë, kryeministri Benjamin Netanjahu ka kërkuar që të përgjohen bisedat telefonike të ministrave dhe funksionarëve të sigurisë.
Në intervistë për transmetuesin publik izraelit KAN, Koen theksoi se Netanjahu ka dhënë urdhra për përgjimin e telefonave të funksionarëve të lartë, kinse i shqetësuar për “çështje të ndjeshme” e cila kishte dalë pas një takimi të sigurisë.
Sipas Koen, kryeministri ka kërkuar përgjimin e telefonave të ministrave dhe funksionarëve të sigurisë të cilët morën pjesë në takim, duke e përdorur si arsyetim për mbrojtje të sekreteve shtetërore.
Koen gjithashtu e akuzoi Netanjahun për “shkatërrim sistematik të institucioneve më të rëndësishme kombëtare në vend”, për shkak të akuzave për korrupsion që janë ngritur kundër tij.
“Ata e sulmojnë Gjykatën Supreme dhe e kundërshtojnë prokurorin shtetëror”, shtoi Koen.
Nga kabineti i kryeministrit Netanjahu deklaruan se Koen “ka tentuar të paraqesë edhe një rast të trilluar”, por akuzat e tij nuk ishin refuzuar plotësisht. Në kumtesë bëhet e ditur se kryeministri vetëm ka bërë përpjekje që të mbrojë “një sekret të rëndësishëm shtetëror” dhe se ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore. fc/
Fotografia: Arkivi