• e enjte, 04 dhjetor 2025

Ish shefi i FBI-së Komi mohon akuzat, ka besim në sistemin gjyqësor

Ish shefi i FBI-së Komi mohon akuzat, ka besim në sistemin gjyqësor

Uashington, 26 shtator 2025 (MIA) - Ish drejtori i FBI-së, Xhejms Komi, mohoi akuzat e dorëzuara mbrëmë kundër tij, duke shprehur se është i pafajshëm dhe se ka besim në sistemin gjyqësor federal.

"Zemra ime është e thyer për Ministrinë e Drejtësisë, por kam besim të madh në sistemin gjyqësor federal, ndërsa unë jam i pafajshëm, prandaj - të kemi gjykim dhe ta mbajmë besimin", shënoi ai në Instagram.

Siç transmetoi DPA, 64 vjeçari ishte akuzuar nga porota e madhe federale pas presionit të madh nga presidenti amerikan Donald Tramp. Ministria e Drejtësisë kumtoi se ai përballet me akuza, duke përfshirë dhënien e deklaratave të rreme dhe pengimin e hetimit në Kongres.

Gjatë mandatit të parë të Trampit, Komi e ka udhëhequr hetimin për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke hetuar lidhjet e mundshme mes Moskës dhe anëtarëve të ekipit zgjedhor të Trampit. Trampi e shkarkoi Komin në vitin 2017, ndërsa hetimi ende vazhdon.

Komi ishte emëruar nga presidenti Barak Obama në vitin 2013 dhe e ka udhëhequr institucionin deri në maj të vitit 2017. Ai u bë veçanërisht i njohur edhe për rolin e tij në hetimin e lidhur me shfrytëzimin e një serveri privat për emaile nga Hilari Klinton derisa ishte sekretare shtetërore.

Pas shkarkimit, ai u bë figurë publike dhe kritik i Trampit, ndërsa në vitin 2018 e botoi librin A Higher Loyalty: Truth, Lies, and Leadership, i cili u bë një bestseller.

Në një video të postuar në Instagram, Komi tha se kohë më parë e ka kuptuar se kundërshtimi i Trampit ka çmim.

Dikush që e dua shumë më tha së fundmi se frika është një mjet i një tirani dhe kishte të drejtë, por unë nuk kam frikë dhe shpresoj që as ju të mos keni frikë", tha ai.

Duke folur drejtpërdrejt para kamerës, ai u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të përfshihen dhe të votojnë, duke thënë: "Shpresoj ... që po i kushtoni vëmendje dhe po votoni sikur vendi juaj i dashur të varej nga kjo - sepse kështu varet." sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR