• e hënë, 23 dhjetor 2024

Iseni: Kompanitë po punojnë me 30-40 për qind të kapaciteteve, presim që Qeveria t'u përgjigjet kërkesave tona

Iseni: Kompanitë po punojnë me 30-40 për qind të kapaciteteve, presim që Qeveria t'u përgjigjet kërkesave tona
Shkup, 25 tetor 2022 (MIA) - Biznesi pret që të premten, më 28 tetor, të mbahet seanca e rregullt e Platformës për dialog publiko-privat dhe Qeveria të tregojë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm për mbështetjen e ekonomisë. Siç deklaroi për MIA-n, kryesuesi i Platformës dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Drilon Iseni, për momentin nuk ka informacion nga kompanitë anëtare për largime nga puna, por të gjitha janë duke punuar minimalisht, me 30-40 për qind të kapaciteteve të prodhimtarisë, për të ruajtur gjendjen fizike dhe për të kursyer energji elektrike. Sipas Isenit, bizneset aktualisht kanë dy zgjidhje, të punojnë me humbje që nuk mund të zgjasin shumë ose të mbyllen përkohësisht ose plotësisht. "Bizneset nuk kanë para, duhet të rrisin pagat për të mbajtur punonjësit dhe të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike dhe nga ana tjetër konsumi është dobësuar. Për bizneset që janë në tregun e lirë, kjo tashmë është kërcënim real. Qeveria duhet të mendojë se si t'i mbështesë në këtë pjesë, si të gjejë një mënyrë për të paguar të paktën energjinë elektrike. Kompanitë kanë dy zgjidhje, operojnë me humbje që nuk mund të zgjasë gjatë ose mbyllet përkohësisht ose plotësisht. Nëse mbyllen përkohësisht, duhet të largohen nga puna punëtorët e tyre dhe nuk ka asnjë garanci se do të qëndrojnë në vend. Ata mund të largohen menjëherë, gjë që do të rrisë më tej problemin e mungesës së fuqisë punëtore, pra të personelit të kualifikuar. Presim që Qeveria t'i ketë parasysh paralajmërimet tona sepse situata është shumë e rëndë", thekson Iseni. Tregtia, shtoi ai, është në pritje të paketës së fundit të masave mbështetëse. "Kjo që po prezantohet tani është në kuadrin e praktikës së deritanishme për të ofruar më shumë mbështetje për kategoritë e cenueshme sociale dhe kjo nuk është keq, por duhet gjetur një mënyrë për të lehtësuar biznesin nga kjo barrë e madhe që ka tani. Për bizneset, tre problemet më të mëdha janë rritja e çmimit të energjisë, veçanërisht të energjisë elektrike, kapitalit njerëzor dhe aseteve likuide. Një nga propozimet tona ishte se si të ulet apo të hiqet tërësisht përkohësisht TVSH-ja e energjisë elektrike, por edhe të vendoset marzh fitimi për shpërndarësit, gjë që ndodhi. Propozimi jonë i fundit, i cili besojmë se do të merret parasysh, është vendosja e një kufiri të sipërm të çmimit të energjisë elektrike deri në sasi të caktuar që duhet të mbulohet nga bizneset dhe diferenca të mbulohet nga shteti, sipas modelit të vendet e rajonit. Shteti le të marrë edhe pak borxh, nuk është problem, duhet t'i shpëtojmë bizneset sepse nëse detyrohen të mbyllen do të humbasim punëtorët, ndërsa kompanive do t'u duhet shumë kohë për t'u kthyer në normalitet", thotë Iseni. Për propozimin për kufirin e lartë të çmimit të energjisë elektrike, ende nuk ka marrëveshje nga Qeveria. "Qeveria fillimisht e trajton konsumatorin si element të rëndësishëm të ekonomisë dhe kjo është në rregull, por pyetja është se sa kohë mund të tolerojë komuniteti i biznesit rritjen e çmimeve. Pritet që fokusi të jetë edhe më tutje tek qytetarët në formë të masave sociale, por biznesi ende shpreson se do të ketë diçka edhe për të, sepse me këtë çmim të energjisë elektirke kompanitë vështirë se mund të mbijetojnë", nënvizoi Iseni para fillimit të seminarit të sotëm vizionar për krijimin e një strategjie kombëtare zhvillimore. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR