Iravani: SHBA dhe treshja evropiane do të mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat e veprimeve të Këshillit të Sigurimit të KB-së
- Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saed Iravani, deklaroi sot gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të KB-së se SHBA dhe treshja evropiane (Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania) janë përgjegjëse direkte për "pasojat serioze" të dështimit për të miratuar rezolutën për të zgjatur heqjen e sanksioneve kundër Iranit, të cilat ishin parashikuar me rezolutën 2231 të vitit 2015.
- Post By Sara Ademi
- 20:31, 19 shtator, 2025
Nju - Jork, 19 shtator 2025 (MIA) - Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saed Iravani, deklaroi sot gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të KB-së se SHBA dhe treshja evropiane (Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania) janë përgjegjëse direkte për "pasojat serioze" të dështimit për të miratuar rezolutën për të zgjatur heqjen e sanksioneve kundër Iranit, të cilat ishin parashikuar me rezolutën 2231 të vitit 2015.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të KB-së kushtuar zbatimit të rezolutës 2231, Iravani dënoi ashpër vendet perëndimore për, siç tha ai, "paraqitje akuzash të rreme kundër Iranit" dhe paralajmëroi se sjellja e tyre është "një sulm ndaj ligjit ndërkombëtar dhe integritetit të vetë Këshillit të Sigurimit".
"Rezoluta 2231 duhet të zbatohet saktësisht siç është rënë dakord. Afatet e saj kohore nuk janë rekomandime apo sugjerime; ato janë angazhime që u negociuan me kujdes dhe u miratuan unanimisht nga ky Këshill. Çdo përpjekje nga tre vendet evropiane për të rivendosur sanksionet që tashmë janë hequr jo vetëm që është e pabazë, por është gjithashtu një sulm i drejtpërdrejtë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe besueshmërisë së vetë Këshillit të Sigurimit", paralajmëroi Iravani, përcjell agjencia e lajmeve Tasnim.
Ambasadori kujtoi se Irani "zbatoi plotësisht dhe me mirëbesim" marrëveshjen bërthamore (JCPOA), ndërsa SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosën sanksionet.
"Trojka nuk i plotësoi detyrimet e saj, duke u fshehur pas premtimeve boshe dhe duke ndjekur në heshtje udhëzimet dhe urdhrat e Uashingtonit. Tani, në një shfaqje të hapur hipokrizie, ata pretendojnë se Irani duhet të ndëshkohet për veprimet që ndërmorëm vetëm pas vitesh tolerimi të shkeljeve të tyre", theksoi diplomati iranian.
Iravani theksoi se objektet bërthamore të Iranit, të cilat janë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB), kanë qenë cak i sulmeve izraelite me mbështetje të heshtur ose të hapur nga SHBA.
Ai akuzoi Këshillin e Sigurimit se i ka injoruar këto sulme, të cilat, tha ai, përbëjnë "një shkelje të qartë të të gjitha parimeve të së drejtës ndërkombëtare".
"Vendimi i Këshillit të Sigurimit është i nxituar, i panevojshëm dhe ligjërisht jo-detyrues për Iranin. Ne nuk do ta respektojmë atë", theksoi Iravani.
Vendimi i Këshillit të Sigurimit është i nxituar, i panevojshëm dhe ligjërisht jo-detyrues për Iranin. Ne nuk do ta respektojmë atë", theksoi Iravani.
Ai shtoi se "dera për dialog është ende e hapur", por se Irani do të vendosë vetë me kë do të bashkëpunojë dhe në çfarë kushtesh.
Iravani paralajmëroi se dështimi i propozimit të kompromisit nga Rusia dhe Kina tregoi se fuqitë perëndimore nuk kanë qëllim të sinqertë për një zgjidhje diplomatike.
"Irani nuk do t'i nënshtrohet presionit, nuk do t'i nënshtrohet kërcënimeve të paligjshme dhe nuk do të lejojë që Këshilli i Sigurimit të bëhet një mjet padrejtësie", shtoi ai.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e miratoi sot draft-rezolutën për të hequr përgjithmonë sanksionet kundër Iranit, por Teherani dhe fuqitë kryesore evropiane kanë ende tetë ditë për të rënë dakord për një shtyrje, raportuan mediat britanike. sa/
foto: MIA arkivi