• e enjte, 04 dhjetor 2025

Irani: Mbështetja për marrëveshjen për Gazën nuk do të thotë miratim i politikës së SHBA-së

Irani: Mbështetja për marrëveshjen për Gazën nuk do të thotë miratim i politikës së SHBA-së

 Teheran, 12 tetor 2025 (MIA) - Miratimi në parim i Iranit për marrëveshjen për armëpushim në Gazë nuk duhet të interpretohet si mbështetje për politikën e presidentit amerikan Donald Tramp për Lindjen e Mesme, deklaroi sot ministri iranian i Punëve të Jashtme Abas Aragçi.

 "Z. Tramp shpreh qëndrimet e tij të preferuara në formate të ndryshme, por ato kryesisht bien ndesh me bindjet tona ideologjike", tha Aragçi në televizionin shtetëror.

 Ai theksoi se mbështetja e Iranit për iniciativën e paqes shërben vetëm për qëllimin e dhënies fund të dhunës, por tha se nuk ka asnjë perspektivë reale për paqe për territoret palestineze në horizont.

 "Ekziston dallim fundamental midis situatës aktuale dhe perspektivave shumë të pasigurta për të ardhmen", tha Aragçi. Ai shtoi se Izraeli në veçanti ka dështuar vazhdimisht t'u përmbahet marrëveshjeve të tilla.

 Mbështetja për grupet militante si Hamasi dhe krijimi i një shteti të pavarur palestinez janë elementë qendrorë të doktrinës së politikës së jashtme të Iranit. Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, Teherani nuk e ka njohur Izraelin si shtet dhe ka shmangur përmendjen e tij me emër. Në vend të kësaj,  gjithmonë i referohet atij si "regjim sionist".

 Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR