• e hënë, 23 dhjetor 2024

Irani e akuzoi Izraelin për sulm terrorist ndaj Libanit me shpërthimin e pejxherëve, Hezbollahu premton hakmarrje

Irani e akuzoi Izraelin për sulm terrorist ndaj Libanit me shpërthimin e pejxherëve, Hezbollahu premton hakmarrje

Teheran, 18 shtator 2024 (MIA) – Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi i dënoi shpërthimet e qindra pejxherëve në Liban, me çka humbën jetën të paktën 11 persona, duke i përshkruar si “akt terrorist” për të cilin, sipas tij, është fajtor Izraeli, transmeton DPA.

Në bisedë me homologun e tij libanez Abdalla Bu Habib, Aragçi shprehu keqardhje dhe mbështetje për Bejrutin. Ambasadori iranian në Liban, gjithashtu, ishte plagosur në shpërthimin e pejxherit, por gjendja e tij nuk është kritike, sipas mediave iraniane. 

Grupi libanez “Hezbollah” e akuzoi Izraelin për sulmin dhe premtoi hakmarrje, përkujton DPA.

Iraku njoftoi se dërgon ekipe mjekësore për ndihmë në Liban, i cili ishte goditur nga shpërthime të sinkronizuara të pejxherëve, të cilët i shfrytëzonin anëtarë të “Hezbollahut”. Zëdhënësi qeveritar Basem al Avadi e quajti këtë aksion “sulm kibernetik sionist”

Kryeministri irakian Mohamed Shija as Sudani urdhëroi dërgimin e ekipeve mjekësore në Liban, që të sigurojë ndihmë urgjente për civilët e lënduar. Sipas deklaratave qeveritare, “agresionet e vazhdueshme nga Izraeli dhe kërcënimet për luftë më të gjerë kërkojnë intervenim urgjent ndërkombëtar”. 

Ministri i Arsimit i Libanit, Abas Ah Halabi, bëri thirrje që të gjitha shkollat dhe universitetet në vend të mbesin të mbyllura gjatë ditës së sotme si shenjë proteste kundër shpërthimeve të pejxherëve, të cilët i quajti “krim të kryer nga armiku izraelit”. 

Pejxherët, të cilët janë paraardhës të telefonëve mobilë, përdoren nga “Hezbollahu” sepse nuk mund të shfrytëzohen për vendndodhjen, që e vështirëson ndjekjen e tyre, thekson DPA.

Sipas të dhënave të fundit, në shpërthimet e djeshme numri i të vdekurve arriti 11, ndërsa janë plagosur 4000 njerëz. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR