Irani dhe Katari u bënë thirrje Indisë dhe Pakistanit të tregohen të përmbajtur
- Ministri i Jashtëm i Iranit, Sejed Abas Aragçi sot arriti në Nju-Delhi, konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë (MPJ). Janë planifikuar takime me presidentin indian, Drupadi Murma dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Subrahmanjam Xhaishankar. Në kushtet e konfliktit të përshkallëzuar midis Indisë dhe Pakistanit, Irani deklaroi se është i gatshëm të ofrojë ndërmjetësim për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm të rajonit.
- Post By Fami Bajrami
- 15:58, 7 maj, 2025
Teheran, 7 maj 2025 (MIA) - Ministri i Jashtëm i Iranit, Sejed Abas Aragçi sot arriti në Nju-Delhi, konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë (MPJ). Janë planifikuar takime me presidentin indian, Drupadi Murma dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Subrahmanjam Xhaishankar. Në kushtet e konfliktit të përshkallëzuar midis Indisë dhe Pakistanit, Irani deklaroi se është i gatshëm të ofrojë ndërmjetësim për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm të rajonit.
Zëdhënësi i MPJ-së së Iranit, Esmail Bagaj sot shfaqi shqetësim të thellë të vendit për shkak të përshkallëzimit të tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit, duke u bërë thirrje të dy palëve të tregohen të përmbajtur. Bagaj theksoi qëndrimin parimor të Republikës Islamike për rëndësinë e respektimit të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, duke bërë thirrje për mospërdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërshtetërore.
Zëdhënësi shfaqi shpresë se dhe India dhe Pakistani do t'i japin përparësi vetëkufizmit për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, me qëllim mënjanimin e dhënies së mundësive për palët e treta, veçanërisht Izraelit, ta shfrytëzojnë situatën.
Ndërkohë, kryeministri i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman Al-Tani sot bisedoi me përfaqësues të lartë nga India dhe Pakistani. Ai bisedoi me telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmaniam Xhaishankar dhe një bisedë të veçantë me kryeministrin pakistanez, Muhamad Shehbaz Sharif, kumtoi MPJ-ja e Katarit në dy kumtesa pothuaj identike.
Sipas këtyre deklaratave, Al-Tani shprehu "shqetësimin e thellë të Katarit" për situatën dhe e konfirmoi "mbështetjen e plotë të Katarit për të gjitha përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare që synojnë zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura midis dy vendeve përmes dialogut dhe mjeteve paqësore".
Doha me sukses ka ndërmjetësuar në disa situata krize kohët e fundit. Katari ishte një nga lojtarët kryesorë në negociatat midis Izraelit dhe Hamasit që sollën armëpushim të përkohshëm në fillim të këtij viti.
Bashkimi Evropian më herët sot i bëri thirrje Indisë dhe Pakistanit që të tregohen të përmbajtur dhe të ndërmarrin hapa urgjent për qetësim të situatës, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anuar Al Anuni. rq/
Foto: arkivi i MIA-s