• e hënë, 23 dhjetor 2024

IOM: Më shumë se 14 milionë njerëz janë zhvendosur në Sudan, kriza më e madhe e refugjatëve këtë vit

IOM: Më shumë se 14 milionë njerëz janë zhvendosur në Sudan, kriza më e madhe e refugjatëve këtë vit

 Kajro, 29 tetor 2024 (MIA)  - Më shumë se 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga lufta në Sudan, që është rreth 30 për qind e popullsisë atje, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), duke e cilësuar atë si krizën më të madhe të refugjatëve të këtij viti.

 Prej tyre, 11 milionë janë të zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e IOM-it, Ejmi Poup.

 Ajo tha se numri i personave të zhvendosur është rritur me 200.000 që nga shtatori, duke shtuar se më shumë se gjysma janë gra, ndërsa më shumë se një e katërta janë fëmijë nën moshën pesë vjeç.

 "Niveli i zhvendosjes dhe nevojat humanitare po rriten çdo ditë. Sinqerisht, gjysma e popullsisë ka nevojë për ndihmë tani", tha ajo, duke vënë në dukje se ata nuk kanë qasje në strehimore, ujë të pijshëm të pastër apo kujdes shëndetësor.

 KB-ja këtë javë paralajmëroi se ndihma humanitare është e nevojshme për gati 25 milionë njerëz në Sudan.

 Lufta në Sudan shpërtheu në prill të vitit 2023 midis armatës sudaneze dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë.

 Më shumë se 24.000 njerëz humbën jetën dhe u kryen shumë krime lufte, duke përfshirë përdhunimin masiv dhe spastrimin etnik.

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR