• e diel, 22 dhjetor 2024

Inteligjenca britanike pretendon se ndalesa për rekrutimin e të burgosurve po i shkakton probleme grupit "Vagner"

Inteligjenca britanike pretendon se ndalesa për rekrutimin e të burgosurve po i shkakton probleme grupit

Londër, 13 mars 2023 (MIA) - Është e mundur që kompania ushtarake private ruse “Vagner” të shfaq probleme në luftën në Ukrainë sepse nuk mund të rekrutojë të burgosur të rinj, vlerësojnë shërbimet e inteligjencës britanike, njoftoi DPA.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi në një seri postimesh në Tuiter se Moska ia ka ndaluar liderit të "Vagner" Evgenij Prigozhin të rekrutonte mercenarë në burgje. Gjysma e të burgosurve të rekrutuar deri më tani kanë rënë viktimë e luftimeve të ashpra, ndërsa një fushatë mbarëkombëtare për rekrutimin e oficerëve nuk ka arritur të kompensojë humbjet, sipas postimeve të publikuara sot në Tuiter.

“Nëse ndalesa vazhdon, Prigozhin me shumë gjasa do të detyrohet të kufizojë shtrirjen ose intensitetin e operacioneve të "Vagner" në Ukrainë”, përfundoi Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Mercenarët e “Vagner” janë veçanërisht aktivë në betejën për qytetin Bahmut, në Ukrainën lindore, thekson DPA.

Që nga fillimi i pushtimit rus, Ministria Britanike e Mbrojtjes ka publikuar raporte të përditshme për ecurinë e luftës, duke cituar shërbimet e saj të inteligjencës. Moska akuzon Londrën për drejtimin e një fushate për të dezinformuar publikun. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR