• e hënë, 23 dhjetor 2024

Inteligjenca artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit

Inteligjenca artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit

Uashington, 30 maj 2023 (MIA) - Inteligjenca artificiale mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit, paralajmëruan ekspertët, duke përfshirë drejtorët e laboratorëve të kërkimit të inteligjencës artificiale "OpenAI" dhe "Gugël  Dipmajnd", ndërsa dhjetëra të tjerë mbështetën deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Qendrës për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale.

Deklarata thekson se zbutja e rrezikut të zhdukjes nga inteligjenca artificiale duhet të jetë një prioritet global krahas rreziqeve të tjera shoqërore si pandemitë dhe lufta bërthamore. Ndërsa ekspertë të tjerë pohojnë se frika është e ekzagjeruar.

Kjo deklaratë u mbështet nga drejtorët ekzekutiv  të zhvilluesit të "ÇetGPT OpenAI" Sem Altman, të "Gugël Dipmajnd",  Demis Hashabis dhe "Antropik"  Dario Amodei.

Ndërsa për profesorin e Universitetit të Nju Jorkut, Ijan Lekun, i cili së bashku me Hinton Benxho konsiderohet si “kumbarët e inteligjencës artificiale”, paralajmërime të tilla apokaliptike janë të ekzagjeruara.

Shumë ekspertë të tjerë në mënyrë të ngjashme besojnë se frika se inteligjenca artificiale do të shkatërrojë njerëzimin janë joreale dhe shpërqendrojnë vëmendjen nga çështje të tilla si paragjykimet në sisteme, të cilat tashmë janë një problem.

Shkencëtari kompjuterik i Universitetit Prinston, Arvind Narajanan, ka thënë më parë se skenarët e fatkeqësive të ngjashme me fantashkencën janë jorealiste.

"Inteligjenca artificiale aktuale nuk është aq e aftë sa duhet për të materializuar këto rreziqe. Si rezultat, vëmendja po largohet nga dëmet afatshkurtra të IA", vuri në dukje Narajanan.

Mbulimi mediatik i kërcënimit të supozuar "ekzistencial" të paraqitur nga inteligjenca artificiale është rritur që nga marsi i vitit 2023, kur ekspertët, përfshirë edhe drejtorin e Tesla-s, Elon Mask, nënshkruan një letër të hapur duke bërë thirrje për ndalimin e zhvillimit të gjeneratës së ardhshme të teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Letra pyet nëse duhet të "zhvillojmë mendje jo-njerëzore që mund të na mposhtin dhe të na zëvendësojnë". sa/

foto: Arkivi i MIA

QËNDRONI TË LIDHUR