• e premte, 05 dhjetor 2025

India e sulmoi Pakistanin në nëntë lokacione

India e sulmoi Pakistanin në nëntë lokacione

Nju Delhi, 7 maj 2025 (MIA) - Forcat e armatosura indiane mbrëmë kanë kryer sulme në nëntë lokacione në Pakistan dhe në rajonin kontestues Xhamu dhe Kashmir, që e administron Islamabadi, njoftoi sot armata indiane.

Armata indiane njoftoi se sulmet në kuadër të operacionit "Sindor" ishin "të fokusuara, të moderuara dhe jo përshkallëzuese sipas natyrës", dhe se nuk ishin kahëzuar ndaj armatës pakistaneze.

"Veprimi ynë ishte i synuar, i matur dhe pa përshkallëzim. Asnjë bazë ushtarake pakistaneze nuk u vu në shënjestër. India tregoi përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe mënyrën se si u krye sulmi", thuhet në kumtesën e publikuar nga Bi-Bi-Si.

Në të shtohet se sulmi është kryer pas sulmit vdekjeprurës muajin e kaluar nga ana e militantëve ndaj turistëve në pjesën indiane të Kashmirit.

Është publikuar gjithashtu një video që tregon shpërthime në pjesën pakistaneze të Kashmirit, pranë qytetit Muzafarabad. Mediat perëndimore raportuan për shpërthime të shumta të fuqishme në disa vende në Pakistan dhe Kashmirin e pushtuar nga Pakistani dhe dëshmitarët okularë pohuan se pati një ndërprerje të energjisë elektrike në Muzafarabad.

Armata indiane, gjithashtu njoftoi në X se "drejtësia është vënë në vend, fitore për Indinë".

Postimi ishte shoqëruar me hashtagun #PahalgamTerrorAttack, që ka të bëjë me sulmin vdekjeprurës të militantëve muajin e kaluar ku u vranë 26 persona.

Menjëherë pasi u raportua sulmi, armata indiane njoftoi se Pakistani kishte qëlluar me predha artilerie në zonën Bhimber Gali në rajonin Punç-Raxhauri, i cili ndodhet në pjesën indiane të Kashmirit, menjëherë pranë vijës së kontrollit.

Zëdhënësi i armatës pakistaneve paraprakisht tha se Islamabadi "do të përgjigjet në këtë sulm në kohën dhe zonën që vetë do ta zgjedhë".

"Të gjithë aeroplanët tanë luftarak janë në ajër. Ky është një sulm i turpshëm dhe qyqar që është kryer nga hapësira ajrore indiane", shtoi zëdhënësi.

Zëdhënësi i Armatës pakistaneze, Ahmed Sharif Çaudri, për stacionin televiziv lokal Geo TV  tha se në sulm kanë humbur jetën të paktën tre persona, mes të cilëve edhe një fëmijë. Sipas tij, dy civilë janë vrarë në rajonin Kotli, ndërsa një fëmijë ka vdekur në qytetin Ahmedpur Lindje në jug të vendit. Në sulme janë lënduar edhe të paktën 12 persona.

Presidenti amerikan Donald Tramp, tha se operacioni ushtarak në Indi kundër Pakistanit është i turpshëm.

Marrëdhëniet ndërmjet Indisë dhe Pakistanit kryesisht u përkeqësuan pas sulmit vdekjeprurës të militantëve ndaj turistëve në Kashmir muajin e kaluar. India akuzon Pakistanin për mbështetje të terrorizmit tejkufitar, që Islamabadi e mohon.

Më 22 prill, militantët islamik hapën zjarr ndaj turistëve në terriorin indian Xhamu dhe Kashmir, me ç'rast humbën jetën të paktën 26 persona, ndërsa të paktën 17 u lënduan.

Si India, ku shumica e banorëve janë hindu, ashtu edhe Pakistani islamik pohojnë se Kashmiri është pjesë e territorit të tyre, me ç'rast secili vend e kontrollon vetëm pjesën e rajonit malor. sa/

foto: Skrinshot X

QËNDRONI TË LIDHUR