• e premte, 05 dhjetor 2025

India dhe Pakistani shkëmbejnë zjarr në kufirin me Kashmirin, tensionet po rriten

India dhe Pakistani shkëmbejnë zjarr në kufirin me Kashmirin, tensionet po rriten

Islamabad, 25 prill 2025 (MIA) - Ushtarë nga Pakistani dhe India shkëmbyen zjarr në Luginën e kontestuar të Kashmirit, kumtuan sot zyrtarët në Islamabad, ndërsa tensionet midis fuqive rivale bërthamore po përshkallëzohen pas një sulmi terrorist vdekjeprurës në rajon.

Ushtarët indianë qëlluan një pikë kufitare pakistaneze në rajonin Lipa gjatë natës, deklaruan dy zyrtarë të inteligjencës për DPA.

"Ushtarët tanë iu përgjigjën zjarrit me armë të lehta. Të shtënat tani kanë pushuar", tha një zyrtar duke shtuar se nuk janë regjistruar viktima nga asnjëra palë.

Shkëmbimi vjen në kohën kur vendet e Azisë Jugore përballen me një sulm vdekjeprurës nga terroristët në pjesën indiane të Kashmirit në fillim të kësaj jave i cili rezultoi me vdekjen e 26 turistëve dhe i çoi të dyja vendet në prag të një konflikti tjetër.

Nju Delhi fajësoi për sulmin e armatosur një grup militant që dyshohet se vepron nga Pakistani. Islamabadi i mohon akuzat.

Sipas mediave indiane, afër 1,500 persona janë arrestuar në rajonin e Himalajeve në lidhje me sulmin për t'u marrë në pyetje mbi lidhjet e mundshme me autorët.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR