• e hënë, 23 dhjetor 2024

Incidente të reja në veri të Kosovës, digjen dy kamionë dhe një veturë në Mitrovicë të Veriut

Incidente të reja në veri të Kosovës, digjen dy kamionë dhe një veturë në Mitrovicë të Veriut

Prishtinë, 9 korrik 2024 (MIA) - Dy kamionë dhe një automjet janë djegur sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani deklaroi për mediat se rasti është iniciuar si zjarrvënie, ndërsa para djegies ka thënë se janë dëgjuar tre shpërthime të shkaktuara nga koktej molotovi.

Elshani informoi se nga zjarri nuk ka të lënduar, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe autoritetet policore dhe janë duke hetuar rastin.

Radio Evropa e Lirë (REL) raporton se pronarë të kamionëve janë shqiptarë, të cilët kanë biznes me shumicë në Mitrovicën e Veriut, ndërsa automjeti i dëmtuar i udhëtarëve është në pronësi të një serbi.

Në veri të Kosovës, një zonë e banuar me shumicë serbe, këtë vit ka pasur disa incidente të ngjashme.
Gjatë vitit 2023 dhe në fund të vitit 2022, kur në veri të Kosovës ishin duke u riregjistruar automjetet me targa të Kosovës, në atë zonë u dogjën disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës).

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR