• e diel, 18 maj 2025

Ilir Meta mbetet në paraburgim, Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën për zbutje të masës

Ilir Meta mbetet në paraburgim, Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën për zbutje të masës

Tiranë, 27 shkurt 2025 (MIA) - Ish presidenti shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbetet në burg, vendosi Gjykata e Lartë, duke hedhur posht kërkesën për ndërrrim të kësaj mase me një më të butë, me çka e konfirmoi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Zëvendësimin e masës “arrest me burg”, Meta e kërkoi me elaborim se "karriera e tij politike dhe zhvillimi i fushatës zgjedhore po pengohen pasi zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 maj”.

Meta, me urdhër të Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK), u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar, me akuzë për "korrupsion pasiv", “larje parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Në një audio mesazh, të shpërndarë në rrjetet sociale, pas vendimit të Gjykatës, Meta paralajmëroi “lëvizje të shpejtë drejt Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg”. Ai akuzoi SPAK-un se ka vepruar me urdhër të kryeministrit Edi Rama për të sulmuar opozitën dhe Partinë e Lirisë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në audio mesazhin e tij, ai u bën thirrje shqiptarëve të votojnë më 11 maj për “përmbysjen e regjimit narkoshtetëror”.

Meta (56) ishte president i Shqipërisë nga viti 2017 deri në vitin 2022, pas çka drejtoi sërish partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, emrin e së cilës e ndryshoi në Partinë e Lirisë.

Trupi treanëtarësh gjyqësor i Gjykatës së Lartë nuk e ndryshoi as masën për deputeten e Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi, duke konfirmuar edhe masën e kallëzimit të detyrueshëm në Gjykatën speciale. Ajo është nën hetim nën dyshim për larje parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR