• e shtunë, 21 dhjetor 2024

IDF dhe Shin Bet konfirmojnë se në sulmin ajror ka humbur jetën komandanti i Hamasit në Liban, Fateh Sherif

IDF dhe Shin Bet konfirmojnë se në sulmin ajror ka humbur jetën komandanti i Hamasit në Liban, Fateh Sherif

Jerusalem,30 shtator 2024 (MIA) - Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) dhe shërbimi inteligjent izraelit Shin Bet në një deklaratë të përbashkët kumtuan se komandanti i grupit militant palestinez Hamas në Liban, Fateh Sherif el Amin u vra në një sulm ajror izraelit.

Në kumtesë thuhet se Sherif është "shef i degës libaneze të organizatës terroriste Hamas", shkruan "Tajms of Izrael".

Sipas ushtrisë izraelite, Sherif ishte përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve të Hamasit në Liban me Hezbollahun, si dhe për "përpjekjet e Hamasit për të forcuar forcat në Liban, në drejtim të rekrutimit të operativëve dhe blerjes së armëve".

Ai "punon për të avancuar interesat e Hamasit në (Liban) si politikisht ashtu edhe ushtarakisht", thuhet në kumtesë. UNRVA konfirmoi se Sherif ishte i punësuar nga agjencia e KB-së për refugjatët palestinezë, por deklaroi dhe se ai ishte duke u hetuar për aktivitetet e tij politike.

Sipas mediave libaneze, Sherif u vra mbrëmë në një sulm në kampin e refugjatëve Al Bas në qytetin Tire në jug të Libanit.

Vdekja e Sherifit u konfirmua edhe nga grupi militant palestinez Hamas i cili sot më herët publikoi se lideri i këtij grupi në Liban, Fateh Sherif Abu el Amin u vra në një sulm izraelit në Libanin jugor.

Në kumtesën e Hamasit shtohet se dhe disa anëtarë të familjes së Sherifit u vranë gjithashtu në atë sulm.

"Fateh Sherif Abu el Amin, lideri i Hamasit në Liban dhe një anëtar i udhëheqjes së lëvizjes jashtë vendit është vrarë në një sulm izraelit në shtëpinë e tij në kampin Al Bas në Libanin jugor", theksohet në kumtesën e Hamasit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR