• e shtunë, 21 dhjetor 2024

IDF dëshiron të mobilizojë rezervistë për mbrojtjen e saj ajrore

IDF dëshiron të mobilizojë rezervistë për mbrojtjen e saj ajrore

Tel Aviv, 4 prill 2024 (MIA) - Armata izraelite dëshiron të mobilizojë rezervistë për forcat e mbrojtjes ajrore, informon DPA.

"Pas vlerësimit të situatës, është vendosur që të rritet numri i personelit ushtarak dhe të thiren rezervistë për forcat ajrore të mbrojtjes", njoftoi armata izraelite, duke mos treguar shkaqe konkrete për masën e ndërmarrë.

Mediat izraelite njoftuan se vendimi është marrë për shkak të kërcënimeve nga Teherani. Pas sulmit të dyshuar izraelit ndaj konsullatës iraniane në kryeqytetin sirian Damask, në të cilin humbën jetën disa persona, Irani dje e përsëriti qëllimin e tij që të përgjigjet. 

"Sulmi nuk do të mbesë pa përgjigje', paralajmëroi presidenti iranian Ebrahim Raisi.

Dy gjeneralë dhe pesë anëtarë të Gardës revolucionare iraniane ishin vrarë në sulmin e së hënës. Sipas mediave iraniane, humbën jetën edhe gjashtë shtetas sirianë. 

Garda revolucionare iraniane (forcat e armatosura iraniane elitare) konsiderohen si më me ndikim se armata konvencionale iraniane, vërejti DPA.

Ministria iraniane e Punëve të Jashtme e akuzoi Izraelin për sulmin. Qeveria amerikane, gjithashtu, beson se Izraeli e ka kryer sulmin, por nuk e komentoi rastin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR