• e diel, 22 dhjetor 2024

Idetë artistike si frymëzim dhe nxitje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor

Idetë artistike si frymëzim dhe nxitje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 13 nëntor 2024 (MIA)-  Artistë të rinj në ngritje dhe të afirmuar, politikbërës të kulturës dhe përfaqësues të rinisë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të mërkurën në Beograd për Konferencën Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të Rinisë, të organizuar nga Western Balkans Youth Lab 2, një iniciativë kjo e financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit kulturor rajonal dhe krijimin e një platforme novatore që i dedikohet fuqizimit të mendjeve të reja dhe krijuese në rajon.

“Të rinjtë tanë kanë kreativitet dhe vizion të jashtëzakonshëm, por për ta shfrytëzuar vërtet këtë potencial, na duhen sisteme mbështetëse më të avancuara dhe bashkëpunime më të thelluara rajonale. Duke investuar tek talentet tona të reja dhe duke mbështetur iniciativat e tyre, ne po forcojmë indin kulturor të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Western Balkans Six dhe po krijojmë një themel për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe dinamike”, tha Ognjen Markoviq, lider i Ekipit të WB Youth Lab 2 i RCC-së, në hapje të konferencës me titull “Zgjojmë skenën kulturore: “Talentet e reja nën reflektorë”.

Industria kreative në Ballkanin Perëndimor përfaqëson deri në 4.7% të forcës punëtore, krahasuar me 7.5% në BE. Forca e jashtëzakonshme dhe arritjet e të rinjve në rajon shtrojnë nevojën për një angazhim më të madh për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet lokale, si dhe për të thelluar lidhjet ndërmjet rinisë dhe industrive krijuese të Evropës. Konferenca theksoi potencialin e papërdorur të sektorit kulturor si një motor për rritjen ekonomike dhe kohezionin e komunitetit, dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt një peizazhi kulturor më të bashkuar, ku artistët e rinj jo vetëm që kontribuojnë, por gjithashtu formësojnë narrativën kulturore të rajonit.

“Zhvillimi i potencialit të të rinjve dhe fuqizimi i të rinjve janë ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian. Duke u munduar të zbusim sfidat me të cilat po përballen të rinjtë, si një nga grupet më të cënueshme, qëllimi i BE-së është  shfrytëzimi i instrumenteve të ndryshme të politikës për të rritur mundësitë për pjesëmarrje të të rinjve. Më konkretisht, përmes mbështetjes së kulturës dhe shkëmbimit kulturor ndihmohet afrimi i njerëzve dhe bashkimi ynë në diversitet”, tha Riçard Masha, Shef i Seksionit III të operacioneve në Delegacionin e BE-së në Serbi.

“Shkëmbime të tilla janë thelbësore për të thyer barrierat, për të promovuar empatinë dhe për të nxitur bashkëpunimin rajonal. Zyra Rajonale e Bashkëpunimit të Rinisë gjithashtu ka njohur potencialin që kanë kultura dhe arti për ndihmën në proceset e ndërtimit të paqes dhe ka ofruar mundësi të reja përmes Fondit të Kulturës të Rinisë së Ballkanit Perëndimor. Duke u angazhuar në projekte kulturore, krijojmë hapësira për të rinjtë që të eksplorojnë perspektiva të ndryshme, të sfidojnë paragjykimet dhe të ndërtojnë tregime të reja të përbashkëta,” tha Marija Bulat, Shefe e Zyrës Lokale, RYCO.

Si një përmbyllje e madhe e konferencës së sotme, në Galerinë N.EON në Beograd, do të hapet një ekspozitë e mbrëmjes “Histori të Rajonit” në të cilën ekspozohen punimet e dhjetë artistëve të rinj nga të gjitha viset e Ballkanit Perëndimor: Vuk Gjuriq, Euklida Berzeshta, Sara Gjuriq, Kristina Mandiq, Gorazd Kenny, Aleksandar Crnogorac, Anita Morina, Hanna Dujmoviq, Katarina Pivniçki dhe Strahinja Tanasijin. Ekspozita është e hapur për publikun dhe përbën një mundësi unike që pjesëmarrësit të përjetojnë kreativitetin dhe pasurinë kulturore të të rinjve nga rajoni. Përmes një game të larmishme të artit vizual, instalacioneve dhe prezantimeve multimediale, ekspozita shpërfaq motive të ndryshme të thesarit kulturor të Ballkanit Perëndimor.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR