Ibrahimi për MIA-n: Nuk e shoh veten si kandidat për Çairin, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare
- As atëherë, as tani nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar të komunës së Çairit. Mund të them vetëm se i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Këtë në intervistën për MIA-n e thotë Zeqirija Ibrahimi, kryetar i partisë Alternativa e cila është pjesë e koalicionit VLEN. Ai në zgjedhjet lokale të vitit 2017 si anëtar i Lëvizjes Besa ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.
- Post By Fami Bajrami
- 10:21, 16 korrik, 2025
Shkup, 16 korrik 2025 (MIA)- As atëherë, as tani nuk kam ambicie të kandidohem për kryetar të komunës së Çairit. Mund të them vetëm se i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Këtë në intervistën për MIA-n e thotë Zeqirija Ibrahimi, kryetar i partisë Alternativa e cila është pjesë e koalicionit VLEN. Ai në zgjedhjet lokale të vitit 2017 si anëtar i Lëvizjes Besa ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.
“Realisht as atëherë nuk kam pasur ambicie, e as tash nuk kam ambicie. Edhe atëherë, edhe tash mund të them që vetëm mund t’i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Edhe atëherë ka qenë kërkesë e subjektit që unë të garoj në zgjedhjet lokale në Çair. Sot nuk jemi në këtë pozicion. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Por, nuk është që e refuzoj kategorikisht në qoftë se kjo gjykohet si kërkesë e subjektit dhe anëtarësisë sonë. Megjithatë, uroj që në Çair të kemi një përfaqësim të mirë dhe të jetë në interes të qytetarëve të Çairit dhe shpresoj se kjo do të bëhet me një kandidat të VLEN-it, aq më tepër që qeverisja jonë ka në fokus të veçantë zhvillimin e komunave dhe mendoj që Çairi ka mundësi që të përfitoj shumë", ka thënë Ibrahimi.

Ai thekson se nuk ka asnjë arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
"Jo. Këtë e kemi deklaruar edhe ne, edhe kryeministri që nuk ka asnjë arsye të vetme që duhet të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shumica është stabile. Realisht, ne ramë dakord që zgjedhjet lokale të mbahen veçmas dhe në vjeshtën e këtij viti, diku rreth mesit të tetorit. Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në datën e tyre të rregullt në vitin 2028. Më vjen keq që po e zhgënjej opozitën shqiptare, por ky është fati i tyre", thekson Ibrahimi.
Ai thekson se me VMRO-DPMNE-në si partner qeveritar u arrit gatishmëri në parim që të mbështesin njëra tjetrën në zgjedhjet lokale.

"Kjo ka ndodhur në çdo cikël zgjedhor të zgjedhjeve lokale. Jo vetëm partitë e pushtetit, por edhe partitë opozitare janë mbështetur mes vete qoftë për listat e këshilltarëve, qoftë për kandidaturat për kryetarë të komunave. Rrjedhimisht në funksion të kësaj z.Mickoski ka deklaruar se do t’i mbështes kandidatët e VLEN-it. Nuk kemi folur për detaje, por besoj që në ditët në vijim pasi të shpallen zgjedhjet lokale do të kemi edhe bisedime më konkrete se ku dhe si mund të mbështetemi mes veti", tha ai.
Ibrahimi ka thënë se deri në fund të muajit do të fillojnë të publikojnë emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale. Thekson se në disa komuna do të mbështesin edhe kandidatë të pavarur.
"Shpresoj se deri në fund të këtij muaji të kemi plot emra që do të garojnë në zgjedhjet lokale në emër të VLEN-it. Dua ta përsëris edhe njëherë që kandidatët e VLEN-it do të jenë të VLEN-it dhe ne nuk i ndajmë të Alternativës ose të partive të tjera, sepse interesi ynë është që VLEN-i të ketë sukses dhe jo partitë që e përbëjnë VLEN-in të mund të mburren me suksesin e tyre partiak. Rrjedhimisht, bile përtej kësaj interesi ynë është që të dalim edhe jashtë strukturave partiake të partive që e përbëjnë VLEN-in ë. Kjo duke ju ofruar kandidatë që janë të pranueshëm dhe të përshtatëm për qytetarët, siç e përmendët shembullin e Strugës. Ne përkundër asaj se kemi plot mundësi që të garoj dikush nga partitë e VLEN-it me ndonjë kandidat në Strugë, vendosëm që ta mbështesim z. Mendi Qyra, duke gjykuar se kështu i bëjmë mirë Strugë. Nuk është e rëndësishme që ne të shfaqim bajraktarizëm partiak duke e dëmtuar Strugën. Andaj, e kemi mbështetur zotin Qyra dhe kështu mund të veprojmë edhe me komunat e tjera ku mund të kemi këso kandidatë që janë të pranueshëm e të dëshirueshëm për mjedisin e tyre lokal. Nëse do të kemi edhe raste të tjera në komuna të tjera, VLEN-i nuk heziton që t’i mbështes ata", thotë Ibrahimi në intervistë.

Në vazhdim intervista e plotë:
Z. Ibrahimi, ditë më parë si koalicion VLEN organizuat një panel për njëvjetorin e qeverisjes ku dhe numëruat disa nga të arriturat. Përmendët arsimin, rritjen e pagave në sektorë të shumtë dhe pensionet...Cili do të jetë tani e tutje fokusi i Alternativës në kuadër të koalicionit lidhur me përcaktimet programore?
-Të faleminderit për pyetjen dhe për mundësinë. Së pari duhet të saktësojë se nuk e kisha ndarë cili është fokusi i Alternativës për shkak se ne vetë perceptohemi si një subjekt i përbashkët politik VLEN edhe pse jemi organikisht disa parti brenda. Andaj, do të flas gjithnjë si VLEN cilat janë objektivat tona se sa si parti politike, për shkak të korrektësisë të cilën e kemi me kolegët brenda VLEN-it. Ashtu siç e shpalosëm edhe në ceremoninë që u organizua për shënimin e njëvjetorit të pjesëmarrjes së VLEN-it në qeverisje, ne thjeshtë jemi duke e zbatuar atë që e kemi premtuar në programin zgjedhor VLEN për zgjedhjet e vitit 2024. Siç edhe e patë, ne folëm edhe atë ditë gjatë atij aktiviteti për zbatimin që është bërë në kufizimin e kazinove, që është bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Folëm për sukseset që i kemi pasur në fushën e arsimit veçmas, edhe ato ishte njëra nga pjesët që unë e fola përpara atij auditori. Folëm për pjesën e jetës sociale, të sportit dhe të tjera.
Gjithnjë do të vazhdojmë të punojmë mbi këto premisa. Ajo çfarë na pret janë zgjedhjet lokale dhe detyrimisht vihemi në funksion të zhvillimit të infrastrukturës lokale. Ne e kemi parë se njëra nga pikat e marrëveshjes tonë ka qenë edhe fuqizimi i decentralizimit fiskal dhe konform kësaj është marrë edhe vendimi i qeverisjes për çdo vit Qeveria do të ndaj nga 250 milionë euro të cilat në proporcion të barabartë do të investohen edhe në komunat shqiptare dhe unë mendoj që ajo çfarë vijon do të jetë veçanërisht e fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës lokale.
Sfidë serioze për pushtetin aktual mbeten ndryshimet kushtetuese. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë çështje, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta dhe marrëveshje?
-Po, kjo ka qenë njëra nga pikat me të cilën ne e kemi krijuar këtë Qeveri. Për hir të së vërtetës, Alternativa si subjekt ka qenë në veçanti e angazhuar në temën e integrimit në Bashkimin Evropian. Ju e dini se ministri i Integrimit Evropian është i Alternativës dhe kemi bërë gjithçka që ka qenë në fuqinë tonë për ti dhënë shtytje këtij procesi. Për informacion tuajin dhe opinionit, ministri Orhan Murtezani është vlerësuar dhe vlerësohet gjithnjë nga të gjithë partnerët e Bashkimit Evropian. Së fundmi ishte në vizitë edhe në Paris ku është mirëpritur në mënyrën më të mirë. Por, e vërteta tjetër është që integrimi në Bashkimin Evropian ose hapja e negociatave nuk varet vetëm nga faktori VLEN, as nga shqiptarët, por as vetëm nga Maqedonia e Veriut. Janë disa shtresa që e kushtëzojnë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është një kontest tashmë një kohë më të gjatë mes fqinjit lindor Republikës së Bullgarisë me vendin tonë për çështje që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën. Kërkesa e partnerëve që jemi në qeveri ka qenë në vazhdimësi që të garantohet si proces që pas kësaj kësaj nuk do të ketë veto të tjera nga ana e Bullgarisë ose nga një institucion i Bashkimit Evropian. Për fat të keq, akoma nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët në këtë aspekt dhe kjo e ka penguar që të votohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Në çdo takim e kemi folur edhe e flasim edhe me kryeministrin, por ky proces nuk është zhbllokuar dhe për këtë nuk dua t’i fajësoj vetëm partnerët tanë qeveritar, por është një proces që e kërkon edhe mbështetjen më të fuqishme të Brukselit edhe mirëkuptimin e Sofjes. Kurse, sa për shqiptarët jam i sigurt se jo vetëm VLEN-i, por edhe çdo deputet shqiptar në Kuvendin republikan është i gatshëm që sot t’i votojë ndryshimet kushtetuese.
Qeveria ku bëni pjesë edhe ju si VLEN miratoi propozim-ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. BDI shpreh shqetësim për propozim-ligjin i cili sipas tyre nuk ofron zgjidhje, por i thellon pabarazitë. Ju si koalicion e vlerësuat si historik, siç thatë, për shkak se për herë të parë përfaqësimi i drejtë si kategori kushtetuese nga viti 2001 po merr zgjidhje ligjore. Si i komentoni kritikat e BDI-së?
-Është e pritshme që opozita të ketë reagime. Për fat të keq, ata nuk dinë të vlerësojnë as gjërat që janë të mira. Ata kanë qenë në pushtet shumë gjatë kohë dhe asnjëherë nuk e kanë iniciuar të miratohet një ligj i tillë. E mban mend opinioni që ata kanë qenë krejtësisht indifirent ndaj çështjes së ligjit dhe janë kënaqur me një aplikacion, një softuer që opinioni e njeh me një term si “balancuesi” dhe për të cilin vetë ata në maj të vitit 2023 janë deklaruar se është bërë joefikas dhe duhet të hiqet. Edhe në kohën që kanë vendosur që ta heqin balancuesin, ata nuk kanë pasur asnjë zgjidhje ligjore. Dhe sot kur VLEN-i në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në arrijnë ta bëjnë një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ata janë ata që reagojnë se ky ligj nuk po i plotësuaka nevojat e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Ne kemi thënë gjithnjë se asnjë ligj nuk ka vlerë absolute dhe ka mundësi që të korrigjohet dhe të përmirësohet, por nuk mund të mohohet fakti se vetëm ajo që do të kemi një dispozitë të rregulluar me ligj flet shumë për seriozitetin me të cilin kjo Qeveri i qaset temës së përcaktimit të drejtës dhe atij adekuat. Ne e dimë që kjo është një dispozitë e Marrëveshjes së Ohrit dhe ne nuk kemi qenë të kënaqur që kjo të mbetet as në vullnetin e ndonjë faktori politik, as në përllogaritjet e një softueri, por e kemi kërkuar që kjo të ketë zgjidhje ligjore dhe sot është zgjidhja ligjore. Që të mos ketë asnjë kontestim tjetër, është vendosur bashkërisht me partnerin tonë në Qeveri që fillimisht të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe pastaj të kalojë edhe në Kuvendin republikan. Shpresoj shumë që kjo opozitë shqiptare të këndellet dhe ta vlerësojë qasjen se kjo zgjidhje është ku e ku më e mirë se sa gjendja në të cilën ata e kishin lënë përfaqësimin e shqiptarëve. Andaj, i ftoj që të mos e sabotojnë miratimin e këtij ligji, por të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ta kuptojnë se është shumë e rëndësishme të kemi një ligj për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjithë etnive në Maqedoninë e Veriut
A është dërguar Propozim- ligji në Komisionin e Venecias?
-Nuk mund të them saktë, për shkak se unë nuk jam pjesëmarrës i mbledhjeve të Qeverisë, por ose është dërguar ose është në dërgim e sipër. Ajo më është çështje teknike dhe nuk ka të bëjë me çështjet e vendimeve politike.
Opozita ju akuzon për dështim në punësimin e shqiptarëve, sidomos në institucione qendrore ku ky raport sipas tyre është tejet i ulët. Ndërkaq, vetë ju në një podkast keni paralajmëruar 2.500 punësime të të rinjve shqiptarë para se të shpallen zgjedhjet lokale. Sa është e arritshme kjo sipas jush?
-Ne kemi sfiduar opozitën shqiptare që ta zgjedhën cilin vit ata e duan nga qeverisja e tyre prej vitit 2002 e deri në vitin 2024, me cilin vit të tyre dëshirojnë të krahasohen për punësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën që 2.500 shqiptarë të punësohen dhe të avancohen brenda një viti. Ky proces është në zhvillim e sipër. Janë gjëra teknike të lidhjes së kontratave, diku të përmbylljes së konkurseve, por kemi dakordim të paluhatshëm që deri në shpalljen e zgjedhjeve lokale deri më 8 gusht kur mund të shpallen zgjedhjet, të përmbyllet ky proces dhe ne jemi të gatshëm të raportojmë edhe me shifra të sakta se në cilat institucione kanë ndodhur ato punësime dhe ato avancime. Kjo nuk është diçka që ne mund ta fshehim dhe ta mbajmë jashtë syve të opinionit, por janë gjëra që do të kalkulohen me numra dhe opinioni do të ketë rastin që ta shoh saktë se ky nuk ka qenë një premtim bosh por një vendim përmbajtjesor.
Së fundmi VLEN ka hapur një temë mjaft serioze në opinion, sa i takon regjistrimit. Thatë se me regjistrimin e vitit 2021 është bërë tradhti e rëndë nga ish përbërja LSDM-BDI sidomos në fshirjen e mërgatës që ajo të trajtohet si jorezidente. Në shumicën e komunave shqiptare, pra rezulton se ka më shumë votues se sa banorë të regjistruar. Pse hapet kjo temë mu tani?
-Realisht më duhet të saktësoj se këtë temë nuk e ka hapur VLEN-i, por kjo u bë temë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e anuloi vendimin që ka qenë atëherë që regjistrimi të zhvillohet duke i regjistruar qytetarët si rezident dhe jorezident dhe ne thjeshtë u përgjigjëm. Duke e parë faktin e këtillë i bie që ata të cilët e kanë bërë regjistrimin e atij viti, në qoftë se mund ta përdorim atë term që e përdor opozita që ata faktikisht e kanë tradhtuar mërgatën shqiptare për shkak se në mënyrë të padrejtë e kanë vendosur kategorinë e qytetarit jorezident. Dhe ky ka qenë reagimi ynë që ta saktësojmë, sepse ata po thirren në mbrojtjen e të drejtave etnike shqiptare dhe në gardian të shqiptarëve. Por, realisht ata të cilët i kanë dëmtuar shqiptarët janë pikërisht ata për shkak se mërgatën shqiptare e kanë vendosur në kategorinë e qytetarëve jorezident. Qëllimi ynë është që të gjithë shqiptarët, të gjithë shtetasit e këtij vendi të jenë të përfshirë në numrin e përgjithshëm të popullatës dhe të mos lejohet të diskriminohet askush pavarësisht se gjatë vitit sa kohë kalon në vendlindje ose jo, kjo është një çështje tjetër. Kurse ne nuk mund t’i gjykojmë qytetarët se ata janë në punë të përkohshme jashtë vendit. Gjithsej se kjo nuk e luhat faktin se shqiptarët janë afër 30 për qind dhe kjo nuk e dëmton aspak korpusin e të drejtave etnike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë që edhe ju si koalicion edhe Fronti Evropian po paralajmëroni fitore në zgjedhjet lokale. A mund të presim që bashkë me zgjedhjet lokale të kemi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare?
-Jo. Këtë e kemi deklaruar edhe ne edhe kryeministri se nuk ka asnjë arsye të vetme që duhet të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shumica është stabile. Bile kishim rastin e fundit ku u desh të miratohen disa ligje dhe të merren disa vendime në Kuvend me shumicën e plotë të dy të tretave dhe me Badenterin, i ashtuquajtur Badenteri i madh dhe realisht në Kuvend u deklarua se ka një shumicë të dy të tretave dhe madje edhe me shumicë të Badenterit. Andaj, nuk ka asnjë arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme kur flasim në kuptim të numrave që janë në Kuvend. Pjesa tjetër e dëshirave të disa partive që janë të pakënaqura që rrinë në opozitë, është çështje e pakënaqësisë së tyre dhe për shkak se akoma nuk mund ta vetëpërcaktojnë veten se janë parti opozitare dhe opozita e ka çmimin të cilin ata duhet ta paguajnë. Realisht, ne jemi dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen veçmas dhe ato do të mbahen në vjeshtë të këtij viti, diku në mesin e muajit tetor. Kurse, zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në terminin e tyre të rregullt në vitin 2028. Më vjen keq që po e dëshpëroj opozitën shqiptare, por fati i tyre është i tillë.
Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi paralajmëroi se do të mbështesë kandidatët e VLEN-it për zgjedhjet lokale aty ku nuk do të nxjerrin kandidatë të tyre. Deri ku janë bisedimet dhe kur mund të finalizohet e gjithë kjo marrëveshje?
-Realisht nuk është se kemi pasur ndonjë marrëveshje të veçantë me z.Mickoski përkitazi me mbështetjen reciproke në zgjedhjet lokale. Ka qenë një vullnet i dakorduar që si partner qeveritar të mbështetemi në zgjedhjet lokale. Kjo ka ndodhur në çdo cikël zgjedhor të zgjedhjeve lokale. Jo vetëm partitë e pushtetit, por edhe partitë opozitare janë mbështetur mes vete qoftë për listat e këshilltarëve, qoftë për kandidaturat për kryetarë të komunave. Rrjedhimisht në funksion të kësaj z.Mickoski ka deklaruar se do t’i mbështes kandidatët e VLEN-it. Nuk kemi folur për detaje, por besoj që në ditët në vijim pasi të shpallen zgjedhjet lokale do të kemi edhe bisedime më konkrete se ku dhe si mund të mbështetemi mes veti. Gjithnjë dua të theksoj se pushteti lokal duhet të shihet në funksion të qytetarëve dhe qytetarët nuk janë gjithnjë në komuna vetëm shqiptarë ose vetëm maqedonas, por veçanërisht pjesa e pushtetit lokal që kanë të bëjë me infrastrukturën lokale, me ujësjellësin, me kanalizimin, me dritat, me asfaltimin, me shkollat, me çerdhet, me ambulancat lokale. Është shumë e rëndësishme që të ofrojmë kushte të mira për qytetarët në pushtetin lokal. Andaj, për neve është shumë e rëndësishme që të mund t’i fitojmë ato komuna, të dalim të suksesshëm në zgjedhje dhe kjo pastaj të përkthehet në jetë më të mirë të qytetarëve. Rrjedhimisht, do të kërkojmë ndihmën dhe bashkëpunimin e gjithkujt që do të mbështes ofertën tonë për zgjedhjet lokale, përfshirë edhe partnerin tonë qeveritar VMRO-DPMNE.
Deri tani në opinion dihet vetëm kandidati për Strugën, pra mbështetja juaj për kandidatin e pavarur Mendi Qyra, ndërsa ende nuk dihen emrat për Tetovën, Çairin, Sarajin...Në cilat komuna ju si Alternativë në kuadër të VLEN-it do të kenë kandidatin tuaj dhe a mund të flitet për komuna konkrete dhe emra konkret tani për tani?
Dua ta përsëris edhe njëherë që kandidatët e VLEN-it do të jenë të VLEN-it dhe ne nuk i ndajmë të Alternativës ose të partive të tjera, sepse interesi ynë është që VLEN-i të ketë sukses dhe jo partitë që e përbëjnë VLEN-in të mund të mburren me suksesin e tyre partiak. Rrjedhimisht, bile përtej kësaj interesi ynë është që të dalim edhe jashtë strukturave partiake të partive që e përbëjnë VLEN-in. Kjo duke ofruar kandidatë që janë të pranueshëm dhe të përshtatshëm për qytetarët, siç e përmendët shembullin e Strugës. Ne përkundër asaj se kemi plot mundësi që të garoj dikush nga partitë e VLEN-it me ndonjë kandidat në Strugë, vendosëm që ta mbështesim z.Mendi Qyra, duke gjykuar se kështu i bëjmë mirë Strugës. Nuk është e rëndësishme që ne të shfaqim bajraktarizëm partiak duke e dëmtuar Strugën. Andaj, e kemi mbështetur z.Qyra dhe kështu mund të veprojmë edhe me komunat e tjera ku mund të kemi këso kandidatë që janë të pranueshëm e të dëshirueshëm për mjedisin e tyre lokal. Nëse do të kemi edhe raste të tjera në komuna të tjera, VLEN-i nuk heziton që t’i mbështes ata. Deri tash në VLEN nuk është se kemi dakordim ose vendim për emrat që do ta përfaqësojnë VLEN-in në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kemi bërë disa sondazhe dhe hulumtime dhe kjo na ka dhënë një pasqyrë se kush janë emrat më të pranueshëm për zgjedhjet lokale nëpër komuna të caktuara. Ka mbetur që të ulemi bashkë dhe të diskutojmë. Unë jam shumë i bindur që VLEN-i do t’i ofroj emrat më të përshtatshëm për përfaqësim në zgjedhjet lokale, pavarësisht a janë ata edhe emrat e partive që sot e përbëjnë VLEN-in.
Kur pritet përfundimisht t’i publikoni?
-Nuk mund t’ju flas me data të sakta.
Përafërsisht?
-Përfundimisht është në kohën që do të shpallen zgjedhjet. Por, unë shpresoj se deri në fund të këtij muaji të kemi plot emra që do të garojnë në zgjedhjet lokale në emër të VLEN-it.
Deri ku është transformimi i i koalicionit VLEN në parti dhe a mund e gjithë kjo të përfundojë para zgjedhjeve lokale? Sa për kujtesë për opinionin, deri tani janë lakuar për lider emrat e Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit. A ka diçka konkrete rreth kësaj?
-Ekziston një ujdi e përgjithshme që VLEN-i të shndërrohet në një parti të përbashkët politike. Por ka disa elemente të cilat e kushtëzojnë formimin ose kalimin e VLEN-it në parti politike. Janë çështjet juridike, fjala bie fillimisht, që askush nuk mund të jetë anëtar në dy parti politike në të njëjtën kohë. Për t’u bërë VLEN-i parti politike duhet të shuhen partitë aktuale politike. Nëse partitë aktuale politike janë disa nga këto që janë sot në VLEN janë pjesëmarrëse në zgjedhjet e kaluara dhe kjo lidhet me financimin e fushatës zgjedhore që e bën Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe ne nuk kemi interes që të shuhen partitë aktuale politike për shkak se atëherë shuhet edhe mundësia e mbështetjes që vjen nga KSHZ-ja. Pastaj, janë edhe vendime të tjera politike në kuptim të asaj që neve na duhet të kemi një dakordim të përbashkët për objektivat ideologjike të VLEN-it dhe e fundit mund të jetë tema e lidershipit të VLEN-it. E kam thënë këtë edhe në takimet e VLEN-it dhe do ta them edhe në publik se çështja e liderit nuk është vetëm çështje e votave, por është edhe çështje e perceptimit të një figure politike nga struktura e përgjithshme që e përbën atë subjekt politik. Rrjedhimisht, mendoj se na duhet edhe pak kohë që të konsolidohen figurat aktuale të VLEN-it dhe të jenë të gjithë të pranuara si figura që mund ta udhëheqin VLEN-in. Ajo çfarë mund të them, informacion i përgjithshëm dhe i mirë për votuesit dhe për mbështetësit e VLEN-it është që kemi harmoni të plotë dhe nuk ka asnjë divergjencë, asnjë përplasje në kuptim të lidershipit ose të bajraktarizmave që rëndom shfaqen nëpër subjekte politike. Por, si duket kjo punë do të mbetet pas zgjedhjeve lokale.

Si qëndrojnë punët me eshalonin e tretë apo drejtoritë. A ka vende që ende duhet plotësuar?
-Po, ka edhe disa drejtori që nuk janë plotësuar, disa pozita që akoma janë të zbrazëta ose që duhet të zëvendësohen dhe kjo ka ndodhur për arsye thjesht formale, fjala bie diku është zgjedhur një drejtor me konkurs dhe nuk mund të shkarkohet pa i kaluar afati i mandatit që e ka, diku tjetër kandidati që ne e kemi propozuar nuk i plotëson kushtet ligjore dhe duhet të zëvendësohet me një kandidatë tjetër, diku tjetër janë procedurat që e kushtëzojnë emërimin e një kandidati për shkak të lëvizjeve që bëhen brenda institucioneve për zhvendosjen e kuadrove. Andaj, ekziston një numër i pozicioneve që ende nuk janë plotësuar, por ky numër nëse mund ta them me përqindje nuk është as 10 përqindëshi i totalit të emërimit që është dashtë të merren nga VLEN-i. Kjo ndodhë edhe me VMRO-DPMNE-në dhe me partitë e tjera, që poashtu ende nuk kanë arritur t’i emërojnë. Për dallim nga pushtetet e kaluara ku ne kemi edhe përvojën e tillë, kjo Qeveri ka qenë rreptësishtë e angazhuar që të gjithë që do të emërohen nëpër pozicione t’i respektojnë kushtet siç janë të parapara në ligj. Fjala bie në qoftë se ka qenë i kushtëzuar që dikush duhet t’i ketë pesë vjet përvojë pune por në ligj shkruan që do t’i ketë pasi e ka mbaruar fakultetin dhe ne kemi raste të kuadrove që nuk janë emëruar edhe pse ata në total i kanë pasur 10 vjet përvojë pune për shkak se i kanë pasur shumicën para se ta mbarojnë fakultetin, nuk kanë mundur të emërohen. Kjo Qeveri nuk ka bërë shkelje të të emërimeve për asnjë kuadër dhe mua më vjen mirë që po funksionojmë konform ligjeve dhe ne po mësohemi të respektojmë funksionimin e këtillë dhe jo të abuzojmë me ligjin duke gjetur zbrazëtira për emërimin e kuadrove të caktuara.
Avokati i popullit Naser Ziberi është para pensionimit dhe sipas të gjitha informatave shumë shpejtë do të kemi Avokat të ri të popullit për shkak se mandati i Ombudsmanit ndërpritet kur i plotëson kushtet për pension. A flitet për ndonjë emër konkret?
-Po, edhe ne e kemi informacionin që z.Ziberi shkon në pension dhe ai pozicion do të mbetet për t’u zgjedhur dikush. Por, deri tash nuk është se janë zhvilluar negociata për të propozuar një emër të ri. Në ditët në vijim mund të kemi informacione të këtilla. Aktualisht nuk ka ndonjë diskuti, rreth emrit të ri. Gjithsesi, Avokati i popullit nuk është një figurë politike, siç ka ndodhur me z.Ziberi i cili erdhi si shpërblim për fushatën që e bëri të kryeministrit të parë shqiptar. Ne shpresojmë se Avokati i ardhshëm popullit të jetë një figurë konsensuale që do të jetë përfaqësues i interesave të popullit, e jo përfaqësues i një subjekti politik. Në qoftë se do të ketë nevojë, këtë do ta dakordojmë edhe me opozitën, por gjithnjë do të kishim dashur që emri i Avokatit të popullit të jetë një emër që i përfaqëson vërtetë interesat e popullit, e jo interesat e një subjekti ose një spektri politik.
Z.Ibrahimi, në vitin 2017 si anëtar i Lëvizjes Besa ishit kandidat për kryetar të Komunës së Çairit. A keni sërish ambicie të kandidoni për kryetar të Komunës së Çairit?
-Realisht as atëherë nuk kam pasur ambicie, e as tash nuk kam ambicie. Edhe atëherë, edhe tash, mund të them që vetëm mund t’i respektoj vendimet që merren nga subjekti që e përfaqësoj. Edhe atëherë ka qenë kërkesë e subjektit që unë të garoj në zgjedhjet lokale në Çair. Sot nuk jemi në këtë pozitë. Besoj se ka plot kandidatë që e fitojnë Çairin dhe nuk e shoh veten që mund të jem kandidati më i mirë për ta fituar Çairin. Por, nuk është që e refuzoj kategorikisht në qoftë se kjo gjykohet si kërkesë e subjektit dhe anëtarësisë tonë. Megjithatë, uroj që në Çair të kemi një përfaqësim të mirë dhe të jetë në interes të qytetarëve të Çairit dhe shpresoj se kjo do të bëhet me një kandidat të VLEN-it, aq më tepër që qeverisja jonë ka në fokus të veçantë zhvillimin e komunave dhe mendoj që Çairi ka mundësi që të përfitoj shumë.
Intervistoi: Fatime Fazliji
Foto: Frosina Naskoviq