• e enjte, 04 dhjetor 2025

I dërguari special i Kremlinit, Kiril Dmitriev, në bisedime me Stiv Uitkof në Majami

I dërguari special i Kremlinit, Kiril Dmitriev, në bisedime me Stiv Uitkof në Majami

Moskë, 24 tetor 2025 (MIA) - I dërguari special i Kremlinit për çështjet ekonomike, Kiril Dmitriev, sot deklaroi se ndodhet në SHBA, dy ditë pasi Uashingtoni njoftoi futjen e sanksioneve të reja energjetike ndaj Rusisë.

"Arrita në SHBA për të vazhduar dialogun midis SHBA-së dhe Rusisë - një vizitë e planifikuar shumë kohë më parë me ftesë të palës amerikane", shkroi Dmitriev në rrjetin X.

Bi-Bi-Si publikoi se Dmitriev do të takohet me përfaqësuesin e Trampit, Stiv Uitkof në Miami, dhe se takimi ishte planifikuar disa javë përpara se Tramp të publikonte sanksionet kundër kompanive ruse të naftës dhe gazit.

Vizita vjen në një kohë kur liderët amerikanë kanë shprehur përsëri zhgënjimin me Rusinë dhe refuzimin e saj për të planifikuar një armëpushim në luftën kundër Ukrainës, duke filluar nga viti 2022.

Presidenti amerikan Donald Tramp tre ditë më parë e shtyu për një kohë të pacaktuar takimin që kishte njoftuar më parë me Presidentin Vladimir Putin, duke thënë se nuk donte të diskutonte për “asgjë”.

I dërguari i Kremlinit tha sot se do t'ua përcjellë qëndrimin e Moskës mbi luftën në Ukrainë anëtarëve të administratës amerikane, raportuan agjencitë ruse.

“Fatkeqësisht, Ukraina po pengon dialogun e nevojshëm dhe po e bën këtë me kërkesë të britanikëve, me kërkesë të evropianëve që duan që konflikti të vazhdojë”, tha Dmitriev.

Rusia i refuzon rregullisht propozimet për armëpushim që nuk janë në kushtet e saj, pra që kërkojnë që Ukraina të dorëzojë territore.

Duke komentuar mbi sanksionet e fundit amerikaneDmitriev, një ish-bankier i "Goldman Sask" i cili studioi në Universitetin Stanford në SHBA, tha se këto sanksione do të kthehen kundër SHBA-së duke rritur çmimin e karburantit për konsumatorët amerikanë.

"Ende ka potencial për bashkëpunim me Rusinë, por vetëm nëse interesat e Rusisë trajtohen me respekt", tha ai.

Në sanksionet e fundit, SHBA-ja ka goditur gjigantët rusë "Rosneft" dhe "Lukoil". Këto janë sanksionet e para serioze që Trampi ka vendosur ndaj Rusisë që kur është rikthyer në pushtet. ls/

Foto: Pravda.ya

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR