• e premte, 05 dhjetor 2025

Huthët pretendojnë se kanë sulmuar një anije në Detin e Kuq

Huthët pretendojnë se kanë sulmuar një anije në Detin e Kuq

Sana, 2 shtator 2025 (MIA) - Kryengritësit Huthë të Jemenit pretendojnë se kanë sulmuar një anije në pjesën veriore të Detit të Kuq. Anija, sipas pretendimeve të Huthëve, ishte i lidhur me Izraelin dhe është goditur me dy dronë dhe një raketë.

Forcat e armatosura jemene kryen një operacion të përbashkët ushtarak, duke sulmuar një anije për shkak të shkeljes së vendimit për ndalim të hyrjes në një port në Palestinën e okupuar, deklaroi zëdhënësi i Huthëve, pa specifikuar se kur u sulmua anija.

Grupi jemenas, i cili mbështetet nga Irani, dy ditë më parë sulmoi tankerin izraelit "Skarlet Rej" në afërsi të portit saudit Janbu në Detin e Kuq.

Gjatë një sulmi ajror izraelit mbi Jemen, i realizuar më 28 gusht, u vra kryeministri i qeverisë së Huthëve dhe 11 funksionarë të tjerë.

Grupi kryengritës kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, i cili është në luftë që nga viti 2014, përfshirë edhe Sanën, ku Huthët kanë ngritur institucionet e tyre politike. Autoritetet jemene ndërkombëtarisht të njohura, të dëbuara nga Sana, ndodhen në Aden.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, Huthët kanë lëshuar raketa dhe dronë drejtë caqeve në Izrael dhe kanë sulmuar më shumë se 100 anije në Detin e Kuq dhe Detin Arab, në ngushticën Bab-el-Mandeb dhe Gjirin e Adenit, si shenjë mbështetjeje për palestinezët. Si përgjigje ndaj sulmeve, Izraeli vazhdon të sulmojë objekte në zonat e Jemenit të kontrolluara nga Huthët.

Jemeni është përfshirë në një luftë civile që nga viti 2014, mes forcave qeveritare, të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe kryengritësve Huthë, të mbështetur nga Irani. Kombet e Bashkuara e përshkruajnë këtë konflikt si një katastrofë humanitare që ka shkaktuar dëme të rënda në infrastrukturën e vendit të varfër. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR