Hungarezët të zemëruar me BE-në: Po të kishim negociuar vetë, marrëveshja me Trampin do të ishte më e mirë
- Qeveria hungareze planifikon të hartojë plane veprimi për të mbrojtur vendet e punës dhe prodhimin në Hungari pas marrëveshjes tregtare midis ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, deklaroi sot kryeministri Viktor Orbani.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 12:01, 1 gusht, 2025
Budapest, 1 gusht 2025 (MIA) - Qeveria hungareze planifikon të hartojë plane veprimi për të mbrojtur vendet e punës dhe prodhimin në Hungari pas marrëveshjes tregtare midis ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, deklaroi sot kryeministri Viktor Orbani.
Ai deklaroi për Radio Koshut se eksporti hungarez në ShBA vlen afërsisht 11 miliardë dollarë në vit dhe se është e rëndësishme që kompanitë që eksportojnë në vend të mos i pushojnë nga puna njerëzit ose të mbyllin uzinat e prodhimit.
Orbani kritikoi ashpër marrëveshjen e re të tarifave midis BE dhe ShBA, duke e quajtur atë një "marrëveshje të tmerrshme ekonomike" dhe një "autogol ekonomik" për Evropën.
"Nuk është vetëm se kemi arritur një marrëveshje të keqe, sepse të gjitha mallrat evropiane të eksportuara në ShBA do të tatohen me një tarifë prej 15 për qind, ndërsa mallrat amerikane që vijnë në Evropë nuk do t'i nënshtrohen tarifave. Gjithashtu, zotohemi të përmbushim kushte që qartë nuk mund t'i përmbushim. Kjo do të thotë që nuk i kemi zgjidhur mosmarrëveshjet doganore, por kemi humbur betejën e parë", tha Orbani.
Kryeministri hungarez, gjithashtu, theksoi se marrëveshja e re përfshin pjesëmarrjen financiare të BE-së në furnizimin e armëve amerikane në Ukrainë.
"Askush nuk më pyeti për këtë. Nuk është marrë asnjë vendim evropian që e miraton këtë. Nëse duam marrëveshje me amerikanët në lidhje me Ukrainën, ajo duhet të jetë e veçantë, jo si një klauzolë sekrete në një marrëveshje doganore", theksoi Orbani.
Qeveria hungareze paraprakisht e ka kritikuar marrëveshjen doganore midis Bashkimit Evropian dhe ShBA-së, duke thënë se ajo është "e dëmshme për interesat evropiane, përfshirë edhe ato hungareze".
Në një konferencë të rregullt për shtyp, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Gjergj Guljash dje kritikoi Komisionin Evropian për rënien dakord për një përjashtim nga tarifat për ShBA-në, ndërsa BE pranoi një tarifë prej 15 për qind për eksportin e saj në ShBA.
Ai e quajti marrëveshjen "një marrëveshje poshtëruese për BE-në" dhe tha se nëse Hungaria do të kishte negociuar vetë, do të kishte arritur një marrëveshje më të mirë me presidentin amerikan Donald Tramp.
Foto: EPA