• e hënë, 23 dhjetor 2024

HRV: Bashkësia ndërkombëtare të përpiqet që Izraeli të respektojë vendimet e GJND-së

HRV: Bashkësia ndërkombëtare të përpiqet që Izraeli të respektojë vendimet e GJND-së

Gjenevë, 11 janar 2024 (MIA) - Drejtoresha ekzekutive e Hjuman Rajts Uoç (HRV) Tirana Hasan deklaroi sot se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet që Izraeli të respektojë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë dhe përgëzoi Afrikën e Jugut për inicimin e procedurës për kinse gjenocid në Rripin e Gazës.

“Nëse Izraeli nuk respekton masat apo aktgjykimin e gjykatës, atëherë bashkësisë ndërkombëtare i takon të bëjë presion për të inkurajuar Izraelin që të zbatojë realisht masat”, tha Hasan, transmetojnë mediat britanike.

Ajo shtoi se që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor ka pasur "shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar humanitar".

"Kemi arritur të dokumentojmë elementet e një krimi - krimit të urisë", ka thënë Hasan.

Sipas saj, autoritetet izraelite nuk kanë hequr dorë nga "mënyra e urisë" edhe pas kumtesës së HRV-së.

Afrika e Jugut sot në hapjen e seancës para Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë lidhur me pretendimin e vendit kundër Izraelit për gjenocid në Rripin e Gazës, deklaroi se Izraeli po e nënshtron popullin palestinez në aparteid dhe gjenocid.

Afrika e Jugut pohon se Izraeli ka shkelur nenin 2 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për gjenocid të vitit 1948 duke kryer akte që përkufizohen si gjenocid.

Izraeli nesër do të ketë mundësinë të dalë me përgjigje para gjykatës. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR