• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hristodulidis: Status "quo"-ja aktuale nuk mund të jetë e ardhmja e Qipros

Hristodulidis: Status

Nikozia, 20 korrik 2023 (MIA) - Gjendja aktuale, status "quo"-ja e tanishme e papranueshme nuk mund të jetë e ardhmja e vendit tonë, tha presidenti qipriot Nikos Hristodulidis me rastin e 49-vjetorit të pushtimit turk të Qipros dhe theksoi se pikërisht për këtë po marrin iniciativa për rifillimin e bisedimeve, të cilat u ndërprenë në vitin 2017, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

"Dyzet e nëntë vjet pas pushtimit barbar turk, pushtimi dhe mbetjet e tij nuk mund të vazhdojnë. Ne i dimë shumë mirë vështirësitë, problemet dhe sfidat. Në të njëjtën kohë, ne e dimë shumë mirë se nuk ka zgjidhje tjetër për ne. Gjendja aktuale, status "quo"-ja aktuale e papranueshme, telat me gjemba, vija ndarëse nuk mund të jenë e ardhmja e vendit tonë", theksoi Hristodulidis.

Ai vuri në dukje se nismat e tyre për të rifilluar bisedimet i referohen një zgjidhjeje për çështjen e Qipros bazuar në një federatë bizonale, bikomunale dhe "një zgjidhje që do ta çlirojë Qipron nga garancitë dhe trupat pushtuese".

"Një zgjidhje që praktikisht do të heqë pushtimin dhe do të lejojë të gjithë banorët e ligjshëm të këtij vendi të bashkëjetojnë, larg çdo ndarjeje, nën një regjim barazie. Këtë, në fakt, ua detyrojmë të gjithë heronjve tanë që ranë për të mbrojtur këtë vend. Këtë ua detyrojmë fëmijëve tanë, të ardhmes së vendit tonë", tha presidenti qipriot. sr/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR