Hoxha: Shkëmbime tregtare dhe projekte të përbashkëta me Poloninë
- Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka njoftuar sot për një takim shumë konstruktiv me zëvendësministrin e Bujqësisë së Polonisë, Jacek Czerniak në prani të ambasadorit të Polonisë në Shkup.
- Post By Fami Bajrami
- 15:32, 27 nëntor, 2025
Shkup, 27 nëntor 2025 (MIA)- Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka njoftuar sot për një takim shumë konstruktiv me zëvendësministrin e Bujqësisë së Polonisë, Jacek Czerniak në prani të ambasadorit të Polonisë në Shkup.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në sektorin agroushqimor, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe mundësitë për projekte të përbashkëta në zhvillimin rural, teknologjinë bujqësore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Palët ranë dakord të fillojnë punën për një format të ri bashkëpunimi midis dy ministrive, i cili do të mbështesë lidhjet mes prodhuesve, investimet potenciale dhe shkëmbimin e ekspertizës mes dy vendeve. Në shenjë mikpritje, Hoxha i dhuroi Czerniak një punim artizanal të Urës së Gurit, simbol i Shkupit dhe lidhjes mes kulturave.
Zëvendësministri Hoxha falënderoi delegacionin polak për partneritetin dhe interesin e treguar, duke e cilësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale në fushën e bujqësisë.