• e martë, 26 nëntor 2024

Hoxha: Dhuna e djeshme në Kuvendin shqiptar do të referohet në SPAK, vandalizimi i ndëshkueshëm ligjërisht

Hoxha: Dhuna e djeshme në Kuvendin shqiptar do të referohet në SPAK, vandalizimi i ndëshkueshëm ligjërisht

Tiranë, 1 tetor 2024 (MIA) - Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha sot reagoi lidhur me aktet e dhunës që dje i kanë kryer deputetët e Partisë Demokratike në seancë plenare të Kuvendit.

Hoxha thekson se “pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e së drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, rrezikimi i jetës së deputetëve, duke i goditur me mjete të forta, shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”.

“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi. Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda ose në dyert e tij është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht”, nënvizoi Hoxha.

Ai shtoi se në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e së drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit, duke shtuar se zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.

“Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta që kanë deputetët”, theksoi Hoxha.

Ndërkohë, Partia Socialiste në pushtet filloi me grumbullimin e nënshkrimeve për kërkesën për "përjashtim nga dhoma ligjdhënëse të 24 deputetëve demokratë".

"Në listë, mes tjerash, është sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili u bë protagonist i një incidenti që kufizohej me një përplasje fizike me deputetin e socialistëve, Petro Koçi, të cilit me dhunë ia rrëzoi mikrofonin dhe tentoi ta godiste. Kërkohet dënim edhe për koordinatorin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili hodhi një këmbë nga një prej karrigeve të shkatërruara drejt kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali", raportojnë mediat.

Kryeministri dhe lideri i PS-së, Edi Rama dje akuzoi se “atë që e bën PS-ja, opozita po e shkatërron”, si dhe koordinatori i grupit të deputetëve të PS-së, Niko Peleshi, i cili porositi se “Kuvendi duhet të jetë tempull i etikës dhe respektimit të ligjit dhe jo skenë ku shkelet dhunshëm ligji”.

Në seancën e djehsme të pasdites, deputetët e PD-së kanë shkaktuar kaos në Parlament, ndërsa para objektit i kanë djegur karriget ku ulen në sallën kuvendore, pasi i kanë lagur me benzinë. Kjo menjëherë pasi Spiropali konstatoi mungesë të deputetit Ervin Salianji dhe nevojën për ndërim të tij me një tjetër. Ai është duke vuajtur burg njëvjeçar për "shpifje", akuzë që që nuk e pranojnë as ai, as partia, duke e vlerësuar "dëbim politik të opozitës".

Së bashku me bashkëpartiakët, ai në maj të vitit 2018, publikoi një audio incizim të një bisede, e cila, sipas tyre, ndodhi mes vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj dhe një ish-të dënuari në Itali për trafik me drogë. bsh/

Foto: MPB-Shqipëri Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR