• e diel, 22 dhjetor 2024

Hovenier: Në Kosovë ka aktorë të huaj keqdashës që duan ta minojnë demokracinë

Hovenier: Në Kosovë ka aktorë të huaj keqdashës që duan ta minojnë demokracinë

Prishtinë, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier sot vlerësoi se në Kosovë ka "aktorë të huaj keqdashës që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar përçarjet etnike". 

Në konferencën për integritet informativ DISICON, organizuar nga  Instituti Kombëtar Demokratik (IKD) me seli në Uashington, ambasadori tha se ishte e nevojshme të qëndrojë në rrugën e këtyre aktorëve keqdashës, duke shtuar se dezinformatat mund të kenë pasoje direkte ndaj rezultateve zgjedhore, në zgjedhjet që së shpejti duhet të mbahen në Kosovë. 

Ambasadori Hovenier, i cili në fund të dhjetorit përfundon mandatin e tij në Kosovë dhe del në pension, sot theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

"Edhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura”, tha Hovenier. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR