• e diel, 13 tetor 2024

Hovenier: Kuinti dhe NATO kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Hovenier: Kuinti dhe NATO kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Prishtinë, 1 gusht 2024 (MIA) - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, deklaroi se vendet e të ashtuquajturit grupi Kuinti, në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës mbi lumin Ibër, e cila lidh dy pjesët e qytetit të ndarë të Mitrovicës - ai jugor i banuar me shumicë shqiptare dhe veriu i banuar me shumicë serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Deklaratën Hovenier e dha pas takimit të sotëm të ambasadorëve të Kuintit dhe të BE-së në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës., Albin Kurti, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjen se cilat janë shkaqet për qëndrimin e tillë të ndërkombëtarëve lidhur me urën në Mitrovicë.

"Ne, përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, së bashku me ambasadorin e BE-së në Prishtinë, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund të mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë", tha Hovenier.

Takimi i ambasadorëve perëndimorë me Kurtin vjen pas paralajmërimeve të Qeverisë në Prishtinë për hapjen e urës edhe për automjetet, përveç për këmbësorë, siç ka funksionuar deri tani.

Përfaqësues zyrtarë të Bashkimit Evropian dje kanë përsëritur se "hapja eventuale e urës në Ibër për qarkullim të automjeteve duhet të jetë çështje, për të cilën do të bisedohet në kuadër të dialogiut mes Kosovës dhe Serbisë". bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR