Holanda do t'i dërgojë armë në vlerë prej 500 milionë euro Kievit, përfshirë edhe raketa "Patriot"
- – Holanda deklaroi dje se do të bëhet vendi i parë anëtar i NATO-s i cili do të blejë sisteme për mbrojtje ajrore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’ia dërgojë Ukrainës.
- Post By Fitore Curri
- 08:46, 5 gusht, 2025
Amsterdam, 5 gusht 2025 (MIA) – Holanda deklaroi dje se do të bëhet vendi i parë anëtar i NATO-s i cili do të blejë sisteme për mbrojtje ajrore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’ia dërgojë Ukrainës.
“Ukrainës tani i duhet më shumë mbrojtje ajrore dhe municion”, deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans në një publikim në „X“.
“Si aleat i parë i NATO-s, Holanda do të dërgojë pako të sistemeve amerikane për armë në vlerë prej 500 milionë euro (578 milionë dollarë), duke përfshirë pjesë dhe raketa ‘Patriot’. Kjo i ndihmon Ukrainës që të mbrojë veten dhe pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, tha ai.
Në korrik, presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi se do të miratojë shitjen e mbrojtjes raketore amerikane “Patriot” vendeve evropiane anëtare të NATO-s, të cilët do t’ia dërgojnë Ukrainës.
“Holanda është vendi i parë i cili e ndjek marrëveshjen për armë ndërmjet NATO-s dhe SHBA-së, e cila përfshin blerjen e sistemeve amerikane për mbrojtje ajrore për Ukrainën”, shkroi kryeministri holandez Dik Shuf në „X“.
“Kjo armë është dëshpërimisht e nevojshme. Ukraina ende po lufton çdo ditë që të mbrohet nga agresioni rus, siç janë sulmet me dronë në përmasa të mëdha. Gjatë kësaj, Ukraina lufton edhe për lirinë dhe sigurinë në Evropë”.
Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski, i cili bisedoi me Shuf me telefon dje, tha se i është “sinqerisht mirënjohës Holandës për kontributin e tyre të konsiderueshëm në fuqizimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës”.

“Pakoja vlen 500 milionë euro dhe përfshin armë amerikane, përfshirë raketat Patriot. Hapi i parë i tillë midis vendeve të NATO-s dhe në një kohë kur Rusia po përpiqet të rrisë sulmet e saj. Kjo patjetër do të ndihmojë në mbrojtjen e jetës së popullit tonë!”, tha Zelenski.
Të premten, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi se Berlini do t’i dërgojë lansues “Patriot” Ukrainës në ditët e ardhshme. Ai shtoi se komponentë shtesë të sistemit do të dërgohen në dy deri tre muajt e ardhshëm që të fuqizohet mbrojtja ajrore e Ukrainës me bateri shtesë “Patriot”. fc/
Foto: Printskrin “X”