• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hjuman rajts uoç akuzoi perëndimin për hipokrizi

Hjuman rajts uoç akuzoi perëndimin për hipokrizi

Nju-Jork, 20 tetor 2023 (MIA) - Hujman rajts uoç (HRU) e akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj për mungesë të kritikave ndaj aksioneve të Izraelit në Rripin e Gazës, duke pyetur se ku janë thirrjet që të respektohen normat ndërkombëtare ndaj sulmit në Gazë, si dhe thirrjet për përgjegjësi.

Reagimi i Uashingtonit dhe, me disa përjashtime, i kryeqyteteve evropiane ndaj veprimeve të Izraelit në Gazë nga 7 tetori, ka qenë i heshtur.

"Ku është dënimi i qartë i ashpërsimit mizor të mbylljes 16-vjeçare të Gazës, që paraqet dënim kolektiv, krim lufte?", tha dje zëvendës-drejtori i programit të HRU-së, Tom Porteus.

Ai, po ashtu, ka shprehur zemërim ndaj deklaratave të liderëve izraelitë "të cilët tentojnë të fshehin dallimin shumë të rëndësishëm midis civilëve dhe luftëtarëve në Gazë, edhe pse ata urdhërojnë rritje të vazhdueshme të bombardimeve të këtij territori me popullatë të dendur, duke i shndërruar blloqet e qyteteve dhe lagjet në rrënoja".

"Ku janë thirrjet e hapura dhe të qarta që Izraeli të respektojë normat ndërkombëtare në sulmin ndaj Gazës?", pyeti Porteus.

Ai tha se kërkesat e ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur civilët duhet të vlejnë për të gjithë. 

Porteus u përqëndrua në pushtimin rus të Ukrainës, ku vendet perëndimore kanë theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave të konfliktit të armatosur në "përpjekjet e tyre për të marrë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë".

"Hipokrizia dhe standartet e dyfishta të vendeve perëndimore janë flagrante dhe të dukshme", ka kritikuar Porteus.

Ai shtoi se kjo rrezikon të minojë punën e palodhshme shumëvjeçare të grupeve humanitare dhe të drejtave të njeriut, së bashku me disa shtete, "për të përforcuar dhe standardizuar normat e krijuara për t'i mbrojtur civilët e ngujuar gjatë konflikteve mbarë botën". rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR