• e enjte, 04 dhjetor 2025

Hiroshima shënon 80-vjetorin e bombardimit atomik

Hiroshima shënon 80-vjetorin e bombardimit atomik

Tokio, 6 gusht 2025 (MIA) – Qyteti Hiroshima, në pjesën perëndimore të Japonisë, e shënoi 80-vjetorin e bombardimeve atomike të SHBA-së në vitin 1945, njoftuan agjencitë botërore të lajmeve. 

Saktë në orën 8:15 të mëngjesit sipas kohës lokale, qyteti mbajti një minutë heshtje – momenti kur bomba atomike ishte hedhur mbi qytetin japonez para 80 vjetëve. 

Bombardimet në Hiroshima më 6 gusht të vitit 1945 e shkatërruan qytetin dhe vranë 140.000 njerëz. Bomba e dytë, e hedhur tri ditë më vonë mbi Nagasaki, vrau edhe 70.000. 

Japonia u dorëzua më 15 gusht, me çka përfundoi Lufta e Dytë Botërore. 

Bombardimet atomike të cilat e përshpejtuan fundin e Luftës së Dytë Botërore janë hera e vetme në histori kur armë bërthamore ishin përdorur në luftë. 

Me uljen e shpejtë të numrit të të mbijetuarve, ndërsa mosha e tyre mesatare tani tejkalon 86 vjet, përvjetori konsiderohet si ngjarje e fundit e madhe për shumë prej tyre. 

“Po na kalon koha dhe po përballemi me një kërcënim bërthamor më të madh se kurrë”, thuhet në kumtesën nga Nihon Hidankjo, organizatë qytetare japoneze e të mbijetuarve që fitoi Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar për nismën e saj për të hequr armët bërthamore. “Sfida jonë më e madhe tani është të ndryshojmë shtetet me armë bërthamore që na përgjigjen me indiferencë”, shtoi organizata.

Përfaqësues të më shumë se 100 vendeve iu bashkëngjitën ceremonive me rastin e përvjetorit. Kryetari i Hiroshimës, Kazumi Macui, kryeministri japonez Shigeru Ishiba dhe persona të tjerë zyrtar vendosën lule në përmendoren e të vdekurve. 

Të mbijetuarit nga bombardimet dhe familjet e tyre filluan të bëjnë homazhe për viktimat. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR