• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hiroshima shënoi 79 vjetorin nga sulmi atomik: Thirrje për paqe globale dhe heqje dorë nga kërcënimet bërthamore

Hiroshima shënoi 79 vjetorin nga sulmi atomik: Thirrje për paqe globale dhe heqje dorë nga kërcënimet bërthamore

Hiroshima, 6 gusht 2024 (MIA) - Sot në Hiroshima shënohet 79 vjetori nga sulmi atomik i kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku rreth 50.000 njerëz i nderuan viktimat me një minutë heshtje.

Kryetari i Hiroshimës, Kazumi Macui, bëri thirrje për bashkimin e popujve në mënyrë që të inkurajojë liderët botërorë të braktisin kërcënimet bërthamore, veçanërisht në kontekstin e konflikteve globale si lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Afërt.

"Sulmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës dhe përkeqësimi i situatës midis Izraelit dhe palestinezëve shtojnë frikën dhe mosbesimin midis popujve, duke përforcuar pikëpamjen se duhet të mbështetemi te forca ushtarake për të zgjidhur problemet ndërkombëtare, të cilat duhet t'i refuzojmë", tha Macui në fjalimin e tij.

Kryeministri Fumio Kishida, i cili përfaqëson njësinë zgjedhore të Hiroshimës, paralajmëroi në fjalimin e tij në ceremoni se momenti drejt një bote pa armë bërthamore është në prag të kthimit për herë të parë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë. “Si i vetmi vend që ka përjetuar përdorimin e armëve bërthamore në luftë, është detyra jonë që të punojmë vazhdimisht drejt realizimit të një bote pa armë bërthamore", tha ai.

Ceremonia në të cilën marrin pjesë rreth 50,000 njerëz, përfshinte përfaqësues nga 109 vende dhe Bashkimi Evropian. Për shkak të krizës në Ukrainë, Rusia dhe Bjellorusia nuk u ftuan në ceremoni për të tretin vit radhazi.

Këtë vit, ambasadori i Izraelit mori pjesë në ceremoni, ndërsa një përfaqësues palestinez nuk ishte i ftuar. Ambasada palestineze kritikoi mosftesën e përfaqësuesit të tyre, duke e cilësuar atë një standard të dyfishtë.

Në maj të vitit të kaluar, liderët e Grupit të Shtatë mbajtën një samit në qytet, me një vizitë të përbashkët në parkun dhe muzen, dhe publikuan dokumentin e parë të përbashkët për çarmatimin bërthamor të quajtur Vizioni i Hiroshimës. Por vetëm disa ditë para përvjetorit të sulmit atomik, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara mbajtën takimin e parë ministror mbi parandalimin e zgjeruar, i cili përfshin mbrojtjen bërthamore për Japoninë.

Një minutë heshtje u mbajt në orën 8:15 të mëngjesit, koha e saktë kur bomba bërthamore u hodh nga bombarduesi amerikan Enola Gej dhe shpërtheu mbi qytet më 6 gusht 1945, duke vrarë rreth 140,000 njerëz deri në fund të vitit. Shumë vizitorë erdhën në park në orët e hershme të mëngjesit për të bërë lutje dhe vendosur lule dhe për t'i shpëtuar kufizimeve më të rrepta të sigurisë të vendosura pas dhunës që shpërtheu me protestuesit vitin e kaluar. Qyteti ka kufizuar hyrjen në ambientet nga ora 5 deri në 9 të mëngjesit. ls/

foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR