Hiqet masa e “arrestit shtëpiak” për liderin e PD-së, Sali Berisha
- Gjykata speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka liruar nga arresti shtëpiak liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ish president dhe ish kryeministër i Shqipërisë.
- Post By Fami Bajrami
- 12:04, 27 nëntor, 2024
Tiranë, 27 nëntor 2024 (MIA) – Gjykata speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka liruar nga arresti shtëpiak liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ish president dhe ish kryeministër i Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, avokati i tij, Genc Gjokutaj deklaroi se nuk ka asnjë masë tjetër sigurie për Berishën që nënkupton edhe kthimin e pasaportës, pasi gjykata konstatoi se për të nuk ka kushte dhe kritere për asnjë masë sigurie.
"Gjykata konkludoi se për Berishën nuk ka më kushte dhe kritere për asnjë lloj mase. Me gjyqtaren Irena Gjoka po zihemi qe një vit e di[ka. Qëndrimi i Strasburgut është vendimtar dhe ka një rol parësor në këtë çështje. Prokuroria speciale, SPAK le të bëjë çfarë të dojë", tha avokati Gjokutaj.
Berisha (80) ka qenë në “arrest shtëpiak” prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, pasi nuk pranoi të zbatonte masën “obligim për paraqitje” ndaj tij duke e konsideruar antikushtetuese, por ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale dhe çdo natë u është drejtuar mbështetësve të tij nga dritarja e banesës.
Ai akuzohet nga SPAK për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të shtetit apo të të zgjedhurve lokal” lidhur me privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë. Në të njëjtën dosje akuzohet edhe dhëndri i tij i cili sipas SPAK-ut me ndihmën e Berishës si kryeministër e privatizoi ku në sipërfaqen e madhe ndërtoi ndërtesa shumëkatëshe duke përfituar mbi 5 milionë euro.
Foto: Berisha FB