• e premte, 06 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Hiper: Nuk duhet t'i jepet legjitimitet pushtimit rus ndaj Ukrainës duke marrë pjesë në paradën në Moskë më 9 maj

Hiper: Nuk duhet t'i jepet legjitimitet pushtimit rus ndaj Ukrainës duke marrë pjesë në paradën në Moskë më 9 maj

 Bruksel, 16 prill 2025 (MIA) - Në kontekstin aktual, Rusia po e shfrytëzon shënimin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për të justifikuar agresionin e saj kundër Ukrainës, prandaj është e rëndësishme që të mos i jepet legjitimitet kësaj duke marrë pjesë në ngjarje të tilla, deklaroi sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Anita Hiper lidhur me paralajmërimet për praninë e kryeministrit sllovak Robert Fico dhe presidentit serb  Aleksandar Vuçiq në paradën me rastin e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë.

"Në fakt, kemi edhe një vendim të Këshillit për këtë, me të cilin vendet anëtare, përfshirë Sllovakinë, ranë dakord në vitin 2022 të refuzojnë ftesa të tilla", shtoi Hiperi. 

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në pyetje nëse prania e mundshme e Vuçiqit në paradën në Moskë do të ndikonte mbi Serbinë dhe rrugën e saj evropiane, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Partneritet Ndërkombëtar dhe Mesdhe, Gijom Mersie deklaroi se nuk do të donte të spekulonte se çfarë mund të pasonte një vizitë e tillë.

 "Ajo që mund të them është se Serbia ka aplikuar dhe po negocion për anëtarësimin e saj në BE. Vendimi i këtillë i Serbisë nënkupton se vendi duhet të harmonizohet me BE-në, duke përfshirë edhe politikën e jashtme. Kështu, BE-ja dëshiron që Serbia të jetë një partner i sihgurt evropian për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët dhe është e nevojshme që Serbia të na bindë për këtë pozicion strategjik", tha Mersie.

Në pyetjen nëse është përgatitur "një lloj përgjigje apo ndëshkim" për Ficon nëse merr pjesë në paradën në Moskë, zëvendësja e zëdhënëses kryesore e KE-së Ariana Podesta u përgjigj shkurt se nuk është në kompetencën e Komisionit Evropian të ndëshkojë krerët e shteteve apo qeverive. 

 Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallasi të hënën  deklaroi në një konferencë për shtyp pas përfundimit të Këshillit të Punëve të Jashtme në Luksemburg se ministra nga disa vende anëtare të BE-së knë porositur se çdo pjesëmarrje e mundshme e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në paradën e 9 majit në Moskë nuk do të mirëpritet nga pala evropiane, duke pasur parasysh se Rusia aktualisht është duke zhvilluar një luftë gjithëpërfshirëse në Evropë.

 "Shumë qartë e bëmë me dije se nuk duam që asnjë vend kandidat të marrë pjesë në këto ngjarje të 9 majit në Moskë. Mesazhi ishte shumë i qartë", tha Kallasi.

Ndaj kësaj deklarate dje ka reaguar kryeministri sllovak Fico, i cili e ka cilësuar si "mosrespekt" dhe "kërcënim". 

 "Do të shkoj në Moskë më 9 maj. A është paralajmërimi i zonjës Kallas një formë shantazhi apo është një aluzion se do të ndëshkohem pas kthimit nga Moska? Nuk e di. "Por, e di që është vitit 2025, jo viti 1939", tha Fico në një postim në rrjetet sociale.

 Fico shtoi se "paralajmërimi" i Kallasit konfirmon se BE-ja ka nevojë për një diskutim për thelbin e demokracisë dhe për "çfarë ndodhi në Rumani apo në Francë rreth zgjedhjeve presidenciale dhe për "Maidanët" e orkestruar nga Perëndimi në Gjeorgji apo Serbi".

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR